Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Giuseppe Valotto

, 02.09.2005




Fakti që ditën e parë të punës, gjenerali Giuseppe Valotto gjendet në Parlament, është shenjë e bashkëpunimit të gjatë që ekziston ndërmjet KFOR-it dhe Parlamentit të Kosovës, si dhe institucioneve të tjera të vendit. Ky është takimi i tretë me gjeneralin Valotto, por gjithnjë shoh te ai një përkushtim të shkëlqyer për të bashkëpunuar në realizimin e paqes, qetësisë dhe vullnetit politik të Kosovës.

Me këto fjalë urimi për punë të mbarë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, e përshëndeti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Giuseppe Valotto, në takimin e sotëm.

Në vijim kryeparlamentari Daci theksoi se jemi shumë të qartë në rrugën që na pret, ndërsa e luta gjeneralin që, pos si ushtarak , të jetë edhe diplomat i mirë në takimet e NATO-s , që vullneti i Kosovës për pavarësi është i panegociueshëm, ndërsa rruga deri te ai vullnet, me të gjithë të interesuarit, do të bisedohet për zgjidhjen e problemeve të jetës . Në vijim kryeparlamentari Daci, duke iu referuar pjesëmarrjes së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi, gjeneralit Dragan Paskash, në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR- it, tha se i shpreha gjeneralit Valotto ndjenjën time që një ngjarje shumë e dëshiruar e ndërrimit të Komandës së KFOR- it, të mos e marrë si mospërkrahje ose si mos mirëseardhje të tij në Kosovë. Ndjenjat e kosovarëve janë shumë të lënduara nga një ushtri , ajo serbe. Megjithatë ky ishte vetëm një episod i shkurtër, që nuk e ul vlerën e punës së gjeneralit Kermabon që e ka bërë në Kosovë. Është një lëshim i tij personal dhe ne e kemi tejkaluar atë . Do të vazhdojmë bashkëpunimin krejtësisht normal dhe miqësor me KFOR-in. Nuk ka asnjë dallim në koncept të bashkëpunimit në mes meje dhe gjeneralit Valotto. Parlamenti do të ndihmojë misionin e gjeneralit, theksoi kryeparlamentari Daci.

Duke shfaqur të njëjtin mendim për urat e bashkëpunimit, gjenerali Valotto tha se ndihet krenar që gjendet në Kosovë. Kosova dhe Italia janë dy vende mike. Pasi theksoi se Italia është shumë e ndjeshme ndaj situatës në Ballkan, Valotto u shpreh se kudo, në të gjitha takimet që ka pasur, ka hasur në përkrahje dhe miqësi nga të gjithë. Nga ky takim, gjej rastin tha Valotto, t’ i përcjellë urimet më të mira Presidentit Rugova.

Gjenerali Valotto premtoi një angazhim të veçantë për të realizuar rezultate sa më të mira në të gjitha rrjedhat në Kosovë. Në këtë frymë ai tha se së bashku mund të sendërtojmë synimet, duke shfrytëzuar edhe mençurinë dhe personalitetin e Kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, ndërsa kur është fjala për ceremoninë, me atë rast mësuam shumë gjëra.

Kryeparlamentari Daci priti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Giuseppe Valotto