Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës u takua me shefat e grupeve parlamentare
, 02.09.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, pati sot një takim me shefat e grupeve parlamentare të LDK-së , AAK- së , PDK- së , ORA- s dhe Grupit 6 plus, në të cilin u shqyrtua Projektligji për të drejtat e pjesëtarëve të luftës së UÇK-së , familjeve të dëshmorëve dhe viktimave civile të luftës .
Të gjithë shefat e grupeve parlamentare unanimisht shprehën qëndrimin që të vazhdohet me procedimin e mëtejmë të këtij Projektligji në komisionet përkatëse parlamentare dhe që sa më shpejt të miratohet në seancën plenare të Kuvendit. U tha se ishte nevojë e kamotshme që Kosova ta ketë një ligj të tillë, si obligim i institucioneve të Kosovës ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës . U vendos që Komisioni funksional parlamentar në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare dhe me ministrin e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, t’ i harmonizojnë të gjitha qëndrimet dhe të gjejnë ato zgjidhje që ligji ta arrijë qëllimin e vet dhe të mund të aplikohet sa më shpejt, duke dhënë një porosi të qartë se Kosova di t’ i çmojë të gjithë ata që dhanë kontribut dhe u sakrifikuan për lirinë e vendit .