Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti të dërguarin e posaçëm të OKB-së, z. Kai Aide

, 05.09.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot të dërguarin e posaçëm të Sekretarit Gjeneral të OKB-së për vlerësimin e standardeve në Kosovë, z. Kai Aide dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë në dritën e përmbushjeve të standardeve për Kosovën.

Kryeparlamentari Daci me këtë rast e ka vlerësuar pozitivisht raportin e mëparshëm të zotit Aide për Kosovën, i cili, siç është shprehur kreu legjislativit të vendit, ishte nxitës për qytetarët e Kosovës dhe mobilizoi institucionet tona për realizimin e standardeve, për procesin e decentralizimit dhe unifikimin e qëndrimeve.

Si çdo vend tjetër edhe Kosova ka plot probleme , ka edhe parregullsi, por të gjitha këto janë raste, ka thënë Daci dhe ka shtuar se qëndrimi dhe orientimi i institucioneve tona është të jemi vend normal në të gjitha rrjedhat, të realizojmë mandatin e popullit për të cilin jemi zgjedhur, t’ iu shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie dhe Kosova të jetë vend i këndshëm për jetë dhe punë për secilin.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se standardet nuk janë qëllim në vete, por se ato do të jenë synime të vullnetshme që kanë për qëllim ta bëjnë jetën më të mirë dhe të ndihmojnë implementimin e parimeve demokratike.

Daci ka theksuar se përmbushja e këtyre synimeve do të jetë mbështetje për realizimin e ëndrrës së popullit të Kosovës për pavarësinë e vendit që do t’i kontribuojë edhe qëndrueshmërisë së gjithë rajonit.

Kryeparlamentari Daci priti të dërguarin e posaçëm të  OKB-së, z. Kai Aide