Lajmet e fundit
Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci
, 05.09.2005
Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës ,Akademik Nexhat Daci, në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar lumturimit të Nënës Terezë
5 shtator 2005
I nderuari kryeadministrator Soren Jessen Petersen
I nderuari kryetar i ASHAK Rexhep Ismajli
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së ASHAK
I nderuari ipeshkv i Kosovës imzot Mark Sopi
I nderuari komandant i KFOR-it Giuseppe Valotto
Të nderuar përfaqësues të Zyrave diplomatike
Të nderuar përfaqësues të Universitetit
Të nderuar mysafirë
Të nderuar kolegë e kolege deputet të Kuvendit të Kosovës
Puna dhe vepra e Gonxhe Bojaxhiu - Nënës Terezë është një punë e njeriut të thjeshtë, një punë e zakonshme, një angazhim që buron thellë nga vet natyra njerëzore, që të ndihmojë njerëzit e tjerë në gjithë atë që kanë nevojë.
Kjo nuk është punë për lëvdim, është një obligim i secilit prej nesh,kudo që jemi dhe kudo që gjendemi, është një parim që lind me vetë njeriun: që ti gjendesh tjetrit në ndihmë e përkrahje ashtu si vetes, që te të gjithë njerëzit e tjerë, të shohësh të afërmit, të shohësh motrën, vëllain, prindin, të shohësh pjesën e vetvetes, si qenie e krijesa të arsyeshme që kemi mision human dhe civilizues në këtë botë.
Të nderuar deputetë
Ajo që Nënën Terezë e veçon në veprimtarinë e saj është se ndihma e angazhimi i saj ishte i përhershëm dhe i pakursyer deri në sakrificë, që duke u nisur nga parimet kristiane të mëshirës, të solidaritetit dhe të ndihmës ndërmjet njerëzve, që janë parime edhe të gjitha besimeve tjera, e që gjithashtu janë parime bazë të civilizimit të sotëm, ajo shtriu dashurinë te të gjithë njerëzit, rriti shpresën dhe theu të gjitha barrierat e kufizimet, duke krijuar një institucion bamirës jo profitabël, dhe duke ofruar ndihmën për të gjithë njerëzit pa dallim, jashtë çfarëdo kushtëzimi dhe jashtë çfarëdo propagande.
Shembulli i Nënës Terezë, u bë shumë shpejt i njohur si një simbol i dashurisë ndaj njeriut, si një shkëndijë e rrezatimit e drejtuar kah të pashpresët, si një gjetje e Perëndisë, në zemrën e njeriut, si një humanizim i solidaritetit i ndihmës dhe i përkujdesjes, si një forcim i besimit: se nuk ka çështje që nuk mund të zgjidhet, nuk ka vështirësi që nuk mund të kapërcehet, nuk ka punë që nuk mund të kryhet.
Të nderuar deputetë
Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, në rrugëtimin e saj u ngrit në simbol të bamirësisë e përkushtimin në gjithë botën, e ngrit me veprën e saj që çdoherë prekej e shihej nga shumë njerëz duke u shtrirë si forcë kapluese të mbarë njerëzimi, duke u bërë shembull për veprime të ngjashme duke rritur dashurinë e solidaritetin ndërmjet njerëzve. Nëna Tereze, si vlerësim të punës së saj mori çmimin Nobel , dhe ishte anëtare nderi e shumë Akademive dhe institucioneve prestigjioze të botës.
Në gjithë misionin e saj Nëna Terezë nuk e la pa e përçuar edhe edukatën dhe traditën e përkushtimit dhe të mikpritjes të trevave tona, të popullit shqiptar që i takonte, të vendit të vogël i cili më vonë në fund të shekullit njëzet u bë shembull i intervenimit të suksesshëm dhe i unifikimit të gjithë botës , si rast i parë në histori, në mbrojtje të popullsisë së Kosovës, nga gjenocidi dhe nga shpërngulja e dhunshme prej trojeve të veta stërgjyshore.
Të nderuar deputet
Nderimi i Nënës Terezë në këtë Kuvend të popullit të Kosovës, është nderim i vetë Kuvendit, është nderim i vetë neve që e përkujtojmë sot e do ta përkujtojmë gjithmonë, këtë Bijë tonën dhe të civilizimit, duke u vënë emrin e saj, rrugëve shesheve, shkollave dhe institucioneve të tjera, duke nderuar kështu veprën e saj e cila është kthim kah njeriu dhe kah njerëzorja, është kthim në cilësitë e vetitë më të mira si individ, si popull dhe si civilizim.
Ju faleminderit