Lajmet e fundit
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit udhëtuan për në Hanover
, 05.09.2005
Me ftesë së kryetarit të Parlamentit të Landit të Saksonisë së Ulët, z. Jurgen Gansauer, ka udhëtuar sot për Hanover të Gjermanisë një delegacion i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Nexhat Daci. Gjatë vizitës zyrtare disaditore anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me të cilët ka udhëtuar edhe deputeti Enver Hoxhaj, do të kenë takime me kryetarin e Parlamentit të Landit të Saksonisësë Ulët, z. Jurgen Gansauer, me komisione parlamentare dhe me deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare.
Në funksion të hulumtimit të mundësive për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Landit të Saksonisë së Ulët, kuvendarët kosovarë do të vizitojnë komplekse të agrikulturës si dhe ndërmarrje të ndërtimtarisë e të përpunimit të xehes. Brenda kohës së realizimit të vizitës parashihet që në ndërtesën e Parlamentit të Saksonisë së Ulët të hapet ekspozita e fotografi e prof. Manfred Zimmermann, me titull “Kosova – përshtypje nga një vend i grisur”, të cilën do ta hapin me nga një fjalë rasti kryetarët e të dy parlamenteve, Daci dhe Gansauer.