Lajmet e fundit

Dita e parë e vizitës së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit, të kryesuar nga kryeparlamentari Daci në Hanover të Gjermanisë

, 06.09.2005




Me ftesë së kryetarit të Parlamentit të Landit të Saksonisë së Ulët, z. Jurgen Gansauer, në Hanover të Gjermanisë është duke qëndruar në një vizitë disa ditshe delegacioni i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci.

Ditën e parë të vizitës anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me të cilët ka udhëtuar edhe deputeti Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë , Teknologji, Kulturë, Rini e Sport, u pritën nga kryetari i Parlamentit të Landit të Saksonisë së Ulët, z. Jurgen Gansauer. Në qendër të vëmendjes së takimit ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.

Me këtë rast kryeparlamentari Daci foli për krijimin e institucioneve demokratike të Kosovës, që ishin fryt i mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta. Megjithëse, Kosova krijon buxhetin nga burime vetjake , ajo nuk e menaxhon këtë. Kosova ka resurse të mëdha, ndaj ka edhe mundësi të gjera për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Saksonisë së Ulët dhe Kosovës. Është e nevojshme që pos kulturës së përbashkët, të na lidh edhe ekonomia, theksoi Daci. Ndërkaq, duke folur rreth vizionit të Kosovës, ai tha se e ardhmja e saj është pavarësia.

Duke përshëndetur mysafirët nga Kosova, z. Jurgen Gansauer tha se pas katër palë zgjedhjeve që janë mbajtur në Kosovë, Evropës nuk i ka hije që ta lërë Kosovën në atë pozitë që dikush tjetër të vendosë për të. Kosova duhet të jetë e pavarur, një vend i zhvilluar ekonomik, i integruar në Unionin Evropian.

Në hapjen e ekspozitës “Kosova – impresione të një vendi të grisur” kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci tha se hapja e një ekspozite për Kosovën këtu në Gjermani, dhe pikërisht në ambientet e Parlamentit të Saksonisë së Ulët, një ekspozitë kjo e profesorit të nderuar Zimmerman, ngjall ndjenjat më të bukura e më fisnike të shijimit e të përjetimit të artit, në gjithë kompleksitetin dhe universalitetin e porosive që sjell ai. Arti i bashkon njerëzit, i bënë ata që të ndihen mirë kudo që janë, i bën të merren vesh dhe të kuptohen pa pasur nevojë për të ditur gjuhën e njeri - tjetrit.

Arti si i tillë nuk ka kufij, nuk ka as qendër të përhapjes, nuk ka as monopol e ekskluzivitete, as sa i përket ideve, motiveve apo porosive. Në vijim akademik Nexhat Daci tha se Kosova është një vend i vogël, i vetmi në Evropë, që sot në fillim të shekullit 21 e kërkon lirinë e vet. Është një vend, ku më shumë se një e treta e popullsisë jeton dhe punon për shumë dekada në shtetet e ndryshme të Unionit Evropian, ku e bëjnë jetën dhe e kanë perspektivën, si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, por që vetë, si vend e shtet, duket si i fundit në listën për hyrje në Bashkimin Evropian.

Vullneti i popullit të Kosovës është të jetojë i lirë dhe i dinjitetshëm, si edhe të gjithë popujt e tjerë të Evropës. Kosova me më pak se dy milionë e gjysmë banorë është një vend i vogël, ajo pret shumë nga Evropa. Ajo gjithë historinë dhe synimet e veta i lidh me civilizimin dhe të ardhmen evropiane.

Ne dëshirojmë që çështja e Kosovës të zgjidhet drejt, sipas vullnetit të shprehur lirshëm të popullit, dhe sa më parë këtë, të festojmë së bashku.

Vizita e delegacionit të Kuvendit të Kosovës vijon edhe me aktivitete të tjera të dendura në këtë vend, duke vizituar komplekse të agrikulturës, si dhe ndërmarrje të ndërtimtarisë e të përpunimit të xehes.