Lajmet e fundit

Debat i frytshëm publik lidhur me Projektligjin për përdorimin e gjuhëve

, 08.09.2005




Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë është më se i nevojshëm, ai përbën segment të rëndësishëm të funksionimit të shoqërisë kosovare dhe të integrimit të komuniteteve, si dhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Ligji i ri do të shkëpuste praktikat e së shkuarës në këtë fushë. Këto ishin disa nga konstatimet e debatit të sotëm lidhur me Projektligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë, organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nekibe Kelmendi, kryetare e komisionit, në të cilin merrnin pjesë edhe përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, UNMIK-u, OSBE-ja, përfaqësues nga komunat me popullsi shumetnike etj.

U tha se ky projektligj në mënyrë gjithëpërfshirëse rregullon çështjen e përdorimit të gjuhëve , dëshmi se në Kosovë përfillen standardet evropiane edhe në këtë lëmë. Ai shpreh traditën dhe tolerancën ndëretnike të këtij vendi në përdorimin e gjuhëve. Gjatë debatit përfaqësuesit e komunitetit turk shtruan kërkesën që gjuha turke të ketë statusin e gjuhës së tretë zyrtare, e jo si jepen zgjidhjet në këtë projektligj. Në këtë frymë një nga propozimet ishte edhe ai që neni 1.ii, të ketë këtë përmbajtje:” Status të barabartë për gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë, përdorim të barabartë në të gjitha institucionet e Kosovës , si dhe përdorim të barabartë të gjuhës turke dhe gjuhës boshnjake në komunat ku ata jetojnë” .

U Propozua që këtij projektligji t’ i shtohen edhe dispozitat ndëshkuese, që do të aplikoheshin për ata që nuk zbatojnë ligjin e ardhshëm. Nekibe Kelmendi theksoi se dyert e komisionit do të jenë të hapura për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në përsosjen e tij.

Debat i frytshëm publik lidhur me Projektligjin për  përdorimin e gjuhëve