Lajmet e fundit
Dëgjim publik mbi Projektligjin e trashёgimisё kulturore të Kosovës
, 12.09.2005
Teksti i Projektligjit i trashëgimisё kulturore tё Kosovёs , i cili është në procedurë në Kuvendin e Kosovës, përbën një bazë të mirë për të aprovuar një ligj aq të nevojshëm për mbrojtjen dhe rehabilitimin e pasurisë kulturore të vendit. Mirëpo, është më se e nevojshme që ky Projektligj t’ i nënshtrohet një procedure të mirëfilltë të përpunimit, në mënyrë që teksti nga ana përmbajtësore të jetë sa më i përsosur, e sa më i qartë. Vërehet se nga ana gjuhësore , sidomos në aspektin e përdorimit të disa nocioneve, Projektligji ka nevojë të shqyrtohet mirë e mirë, për të ofruar zgjidhje sa më adekuate për çështjet që përcakton . Këto ishin disa nga konstatimet e dëgjimit publik të organizuar nga ana e Komisionit për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini e sport i Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, përkitazi me shqyrtimin e Projektligjit të trashëgimisё kulturore të Kosovës.
Gjatë debatit diskutuesit dhanë vërejtje të vlefshme për begatimin e tekstit të Projektligjit, të cilat do të merren parasysh gjatë amendamentimit të Projektligjit. Ligji i ri do të plotësojë një vakum në anën ligjore të ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë, duke ditur se në periudhën e pasluftës Kosova nuk ka ligj në këtë sferë, kurse në ndërkohë kanë ndodhur shumë ndryshime në këtë sferë. Një vërejtje e Këshillit të Evropës se megjithë faktin se teksti i Projektligjit është normë, ai duhet të jetë më fleksibil, sipas sponsoruesit ( përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës ) është përfillur. Në këtë frymë u theksua se institucioni përkatës i Këshillit të Evropës tregon gatishmëri që të marrë pjesë në punën e mëtejmë rreth përsosjes së këtij ligji, në mbështetje të dokumenteve evropiane të kësaj fushe.