Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti shefin e Shtyllës së Parë të UNMIK-ut, Jean Dussourd
, 12.09.2005
Në takimin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pasur me shefin e Shtyllës së Parë të UNMIK-ut, z. Jean Dussourd, është biseduar për bartjen e kompetencave në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë, si përgatitje dhe aftësim të institucioneve të Kosovës për t’i marrë kompetencat në të gjitha fushat.
Kryeparlamentari Daci ka këmbëngulur për bartje të plotë të kompetencave. Ai ka vlerësuar se në këtë mënyrë ndërtohet efikasitet në luftimin e krimit e të dukurive negative dhe se rritet përgjegjësia e qytetarëve për t’i parandaluar dhe zbuluar rastet. Daci ka kërkuar kyçjen e domosdoshme të Kuvendit të Kosovës në ndërtimin e dy ministrive të reja, duke insistuar që ministria e re të quhet e Punëve të Brendshme e jo Ministri e Rendit. Ai gjithashtu ka ngritur idenë që të krijohet një komision i ri parlamentar për kontrollin e forcave të sigurisë.
Të dy bashkëbiseduesit janë angazhuar për bashkëpunimi institucional lidhur me krijimin e Shërbimit Inteligjent të Kosovës, i cili do të jetë pa ndikime e anime partiake por si shërbim profesional, që bashkëpunon me shërbimet përkatëse evropiane, dhe të shteteve përkatëse.
Ata janë shprehur që në këto dy ministri duhet të punësohen edhe pjesëtarët e minoriteteve që Kosovën e konsiderojnë vend të vetin, dhe këto ti ndiejnë si institucione të tyre që ndihmojnë stabilitetin e vendit dhe që gëzojnë respektin e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Në këtë takim Daci është angazhuar për shkollimin e rregullt të kuadrit në Policinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe shkollimin universitar në Akademinë e Policisë së Kosovës, sipas standardeve dhe praktikave më të mira të vendeve të zhvilluara