Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ

, 12.09.2005




Komisioni Parlamentar për çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, në mbledhjen e tij të rregullt, të drejtuar nga Hydajet Hyseni,kryetar i komisionit, ka shqyrtuar planin strategjik i UNMIK-ut për transferin e kompetencave në lëmin e policisë dhe të drejtësisë, ka shqyrtuar amendamentet e propozuara për Projektligjin për provimin e jurisprudencës dhe bazueshmërinë kushtetuese të Projektligjit për duhanin, të atij për Metrologjinë dhe të atij për Ngrohjen Qendrore.

Nisur nga materiali bazë për planin strategjik i UNMIK-ut për transferin e kompetencave në lëmin e policisë dhe të drejtësisë, të përgatitur nga anëtarët Komisionit Legjislativ, Gjylnaze Syla e Ramadan Kelmendi dhe nga diskutimet e anëtarëve të tjerë në këtë temë, ka rezultuar se plani është përgatitur njëanshëm (vetëm nga UNMIK-u) dhe pa kontributin e pjesëmarrësve të tjerë në proces, si dhe pa përfillur në masën e duhur interesin e vërtetë të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës.

Anëtarët e Komisionit kanë dhënë shumë vërejtje në këtë plan, por kanë konstatuar se transferi i kompetencave duhet të fillojë menjëherë, që ai të jetë funksional dhe të mos ngatërrohet me çështjen e reformave në gjyqësi dhe polici.

Është kërkuar gjithashtu që Qeveria e Kosovës të jetë partner aktiv në planin e bartjes së kompetencave dhe të gjendet mundësia që kryeministri apo personi kompetent, i autorizuar nga ai, të gjen kohë për të raportuar para Komisionit legjislativ lidhur me projektin e saj për bartjen e kompetencave, jo vetëm të ministrive të reja.