Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës Britanike në Kosovë, z. Mark Dickinson
, 13.09.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, priti sot në një takim shefin e Zyrës Britanike në Kosovë, z. Mark Dickinson. Vëmendja e bashkëbiseduesve gjatë këtij takimi u përqendrua në zhvillimet aktuale shoqërore e politike në Kosovë, si dhe në përpjekjet që bëhen për avancimin e proceseve pozitive në Kosovë. Në këtë frymë u fol posaçërisht për angazhimet e ardhshme të Kuvendit të Kosovës në lëmin e legjislacionit.
Realizimi i ngulmët i detyrave dhe obligimeve kushtetuese, në këtë moment të rëndësishëm politik për të ardhmen e vendit, duhet të jetë synim parësor i të gjitha institucioneve të Kosovës, u tha me këtë rast. Kjo do të kishte reflektime pozitive në të gjithë lëmenjtë, por edhe në përpjekjet që po bëhen drejt statusit final të Kosovës.
Kryeparlamentari Daci me këtë rast vlerësoi lart punën e Zyrës Britanike në Kosovë në thellimin e bashkëpunimit me Kuvendin dhe institucionet tjera të vendit.