Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për buxhet dhe financa
, 13.09.2005
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për buxhet dhe financa, në mbledhjen e kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i komisionit, në të cilin merrnin pjesë edhe përfaqësues të e Zyrës së Auditorit Gjeneral dhe të OSBE-së, kanë dëgjuar raportet për funksionalizimin e Zyrës dhe aftësimin e kuadrit profesional vendës dhe për rezultatet e auditimit për vitin fiskal 2002/2003.
Megjithëse e krijuar në vitin 2002 (në bazë të Rregullores së UNMIK-ut) dhe stafit vendor prej 83 punonjësish ( kryesisht profesional) të stërvitur për këto tri vite, nga raporti i përfaqësuesit të Zyrës së Drejtorit të Auditimit, Serafim Sofroniev, rezulton se kuadri vëndës ende nuk është i gatshëm të bëjë auditivin shpenzuesve buxhetorë të Kosovës dhe të ketë pasqyrë reale për menaxhimin e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës. Madje duke raportuar për raportet e auditimit ( i fundit i përgatitur për vitin fiskal 2002/2003), Tomas Janhed ka theksuar se këtë e kanë bërë kryesisht ekspertë holandezë të auditimit dhe ekspertë të ndërmarrjeve private. Raportuesit, ndërkaq, kanë shfaqur shpresën se në të ardhmen audituesit kosovarë do ta kryejnë me sukses këtë detyrë tepër të rëndësishme për transparencën e shpenzimeve buxhetore dhe për menaxhimin e mirë të mjeteve financiare nga institucionet dhe ndërmarrjet.
Anëtarët e Komisionit për buxhet dhe financa duke kërkuar plotësimin dhe aftësimin e resurseve njerëzore të Zyrës së Auditorit Gjeneral, kanë vlerësuar tepër të rëndësishme miratimin enjë Ligji për këtë Zyre. Ata gjithashtu kanë kërkuar që raportet e auditivit t’i vijnë rregullisht dhe që Zyra t’i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësuesi i Zyrës së Auditorit Gjeneral, Sofroniev, por edhe përfaqësuesi i OSBE-së, Piter Vanhote, kanë deklaruar se projektligji në fjalë është duke u përgatitur dhe se shpresojnë të jetë i gatshëm për miratim nga Kuvendi në fund të dhjetorit ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Komisioni për buxhet dhe financa në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe raportet e Komisionit për ekonomi, tregti, industri dhe financa ( si komision funksional) për Projektligjin për ngrohjen qendrore dhe atë për Metrologji, si dhe raportin e Komisionit për shëndetësi lidhur me Projektligjin për duhanin, për të cilët ka konstatuar se nuk kanë implikime buxhetore.