Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti shefin e ri të Zyrës Gjermane në Kosovë
, 13.09.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur në një takim njohës shefin e ri të Zyrës Gjermane në Prishtinë, Eugen Wollfarth dhe ka biseduar me te për zhvillimet në vend, me theks të veçantë për përgatitjet e institucioneve për procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës.
Kryeparlamentari Daci me këtë rast ka përshëndetur ndihmën e Gjermanisë për Kosovën, jo vetëm në kudër të projektit trepalësh për mbështetje Kuvendit të Kosovës (Parlamentet e Gjermanisë, Francës dhe Belgjikës, të cilit sivjet i bashkohet e dhe ai i Sllovenisë), por edhe për interesimet e Qeverisë dhe të Bundestagut Gjerman për Kosovën.
Shefi i ri i Zyrës Gjermane në Kosovë, Eugen Wollfarth, ka theksuar se nga bisedat që ka pasur me deputetët e Bundestagut ka konstatuar interesin e theksuar për zhvillime pozitive në Kosovë dhe është shprehur optimist për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Në interesimet e mysafirit për kontradiktat eventuale të subjektit politik të Kosovës në këto momente të tranzicionit, Daci është përgjigjur se ekziston unitet i plotë i pozitës dhe i opozitës për sa i përket statusit, zhvillimit ekonomik dhe të drejtave të njeriut e të komuniteteve. Ai ndërkaq, duke theksuar rolin e legjislativit për përcaktimin e statusit të vendit, ka theksuar se çdo proces politik për statusin, i cili nuk përfshinë Kuvendin e Kosovës është destinuar të dështojë, sepse, ka thënë Daci, deputetët përfaqësojnë vullnetin e popullit të Kosovës.