Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisioni Parlamentar për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale

, 15.09.2005




Është më se i nevojshëm një angazhim i ngulmët për shpejtimin e punëve rreth procedimit të mëtejmë të Projektligjit për të drejtat e pjesëtarëve të luftës së UÇK-së , familjeve të dëshmorëve dhe viktimave civile të luftës, në mënyrë që ky Projektligj të aprovohet sa më shpejt nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ishte ky konstatim unik i Komisioni për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, të kryesuar nga Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, kryetare e Komisionit, në mbledhjen e sotme, në të cilën morën pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Ibrahim Selmanaj.

Pjesëmarrësit kishin parasysh se kemi të bëjmë me një Projektligj shumë të rëndësishëm, pasi nga ai, pas aprovimit, do të përfitojnë kategori që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës. Duke ditur faktin se Projektligji ngërthen një materie shumë te ndjeshme, duke ditur edhe vërejtjet e deritashme që u dhanë në këtë tekst, si në procedurën parlamentare, ashtu edhe nga subjekte të tjera, u nxor konstatimi se vërejtjet e dhëna të përfshihen në tekstin e Projektligjit. Këtë punë duhet ta bëjë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si sponzoruese e këtij Projektligji, në mënyrë që pastaj Komisioni të vazhdojë punën e amendamentimit të Projektligjit dhe procedimit për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës. Me rastin e përfshirjes së këtyre vërejtjeve, plotësimeve e sugjerimeve, u tha se duhet të merren parasysh edhe vërejtjet e dhëna nga ana e Zyrës së PSSP-së.

Në këtë mbledhje u fol edhe për koston financiare me rastin e aplikimit të këtij ligji . Përkitazi me këtë, u tha se për zbatimin e Ligjit të ardhshëm janë të nevojshëm gjithsej 7, 3 milionë euro, ndaj për të përmbushur këtë shumë duhet të sigurohen edhe 2, 6 milionë euro.

Mbledhja e Komisioni Parlamentar  për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale