Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ
, 19.09.2005
Komisioni Parlamentar për çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, në mbledhjen e tij të drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i komisionit, në të cilën merrnin pjesë edhe përfaqësues të Zyrës ligjore të Qeverisë dhe të asaj të UNMIK-ut, si dhe nga OSBE-ja, ka debatuar për një varg ligjesh të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, të kontestuara apo ende të pa shpallura nga PSSP-ja.
Përfaqësuesi i Zyrës Ligjore të UNIK-ut, John Cubban, duke shprehur arsyet e mos shpalljes së disa ligjeve, kryesisht të sferës civile si, ka theksuar se Ligji për të drejtën sendore rregullon çështje që janë sferë e rezervuar. Arsye për vonesën e Ligjit për detyrimet, ndërkaq, ka përmendur gjuhën e paqartë juridike ( së pakut në versionin anglisht). Ai ka dhënë një varg sqarimesh edhe për disa ligje të tjera të cilat po vonohen të shpallen.
Kryetari komisionit, Hyseni ka hedh idenë që të krijohet një grup mikst nga përfaqësues të Komisionit parlamentar për legjislacion dhe të zyrave ligjore të UNMIK-ut dhe të Qeverisë, në mënyrë që të tejkalohen problemet e vonimit të shpalljes së ligjeve të miratuara.
Komisioni Parlamentar për çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, ka miratuar nismën për hartimi e Projektligjit për zgjedhjet. Rreth kësaj çështje është thënë se është duke u punuar edhe nga OSBE-ja dhe nga Forumi i Zgjedhjeve, por është përfunduar se ata mund të ofrojnë modele dhe shërbime të mira, por se nuk kanë kompetencë të hartojnë ligjin.
Anëtarët komisionit po në këtë mbledhje kanë shqyrtuar rekomandimet e komisioneve funksionale për tri projektligje në procedurë: Projektligjit për përdorimin e gjuhëve, Projektligjin për Inspektoratin shëndetësor dhe atë për Investimet e huaja.