Lajmet e fundit
Sesionin plenar do të fillojë më 28 shtator
, 20.09.2005
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetari Kuvendit, ka miratuar rendin e ditës për Sesionin plenar që do të fillojë më 28 shtator dhe ka shqyrtuar një varg kërkesash të grupeve e të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve për çështje të ndryshme të funksionimit të legjislativit.
Do të shqyrtohen 11 projektligje
Është paraparë që në këtë sesion të shqyrtohen 11 projektligje, nga të cilat katër projektligje për herë të dytë dhe shtatë për herë të parë. Për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për sigurimet shëndetësore; ai për Duhanin, ai për Ngrohjen qendrore dhe ai për Dhënien e koncesioneve.
Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për Procedurën Përmbaruese; ai për Kujdesin shëndetësor dhe emergjent; ai për Veprimtarinë botuese dhe librin; Projektligji për edukimin parashkollor; ai për Gjuetinë; ai për Markat tregtare dhe ai për Minierat dhe mineralet.
Tri projektligje shtyhen për më vonë
Për shkak të vërejtjeve të UNMIK-ut është shtyrë për herë tjetër Projektligji për provimin e jurisprudencës, kurse është shtyrë edhe Projektligji për metrologjinë ( për shkak të disa paqartësive rreth së ardhmes së Institutit të metrologjisë në Prizren). Do të shtyhet gjithashtu çështja e Rregullores së UNMIK-ut për Shërbimin policor të Kosovës dhe është tumirë qëndrimi i Qeverisë që brumi i kësaj rregulloreje të plotësohet dhe të futet në procedurë të miratohet si ligj.
Kuvendi do të miratojë ekipin negociator
Në po këtë sesion plenar do të shqyrtohet edhe kërkesa e presidentit Rugova për miratim nga Kuvendi të ekipit negociator për përcaktimin e statusit të Kosovës.
Do të debatohet edhe strategjia për energjetikë (pas raportimit të ministrisë përkatëse për këtë çështje).
Interpelanca e kryeministrit në ndonjë seancë tjetër
Kërkesa e grupit Parlamentar të PDK-së për thirrje në interpelancë të kryeministrit Kosumi tumiret nga Kryesia dhe kalon në procedure të rregullt për ndonjërën nga seancat vijuese.
Nuk shtohen pagat e deputetëve
Propozimi i Komsionit për buxhet dhe financa për shtimin e pagave të deputetëve, ndërkaq është vlerësuar i parakohshëm dhe është shtyrë për më vonë.
Kryesia ka miratuar edhe kërkesa të deputetëve për pyetje ministrave të Qeverisë dhe kryeministrit Kosumi.