Lajmet e fundit
U zgjodh Bordi udhëheqës i Grupit Joformal të Parlamentareve të Kosovës
, 20.09.2005
Sot, në Parlamentin e Kosovës, u mbajt mbledhja e radhës e përfaqësueseve të propozuara nga gratë deputete të subjekteve politike në Parlament, për Bordin e Grupit Joformal të Parlamentareve të Kosovës. Me këtë rast u bë konstituimi i Bordit dhe zgjedhja e dy kryesueseve, një nga pozita dhe një nga opozita, të cilat së bashku do të koordinojnë punët e grupit.
Bordi do të ketë tetë anëtarë me këtë përbërje : Samie Zeqiraj (LDK),Gjylshene Berisha (LDK), Flora Brovina (PDK), Hatixhe Hoxha (PDK), Zylfie Hundozi (AAK) , Fatmire Mullhaxha-Kollqaku (ORA), Shpresa Murati (6+) dhe Vesna Jovanoviq (përfaqësuese e subjekteve serbe ). Bashkëkryesuese u zgjodhën Samie Zeqiraj dhe Flora Brovina.
Në këtë mbledhje u bisedua për rregullat e punës, planet dhe synimet e Grupit, që kanë për qëllim përfshirjen më të gjerë të gruas në politikë dhe vendimmarrje. Grupi do të bashkëpunojë edhe me gratë nga kuvendet komunale , zyrat për barazi gjinore, partitë politike dhe OJQ-të. Gjithashtu, grupi do jetë i hapur dhe do të ndërmarrë nisma bashkëpunimi me gratë në Rajon edhe më gjerë. Për afirmimin e punës se grupit dhe të grave në politikë është e nevojshme një përkrahje më e madhe e mediave dhe prezantim më i denjë i gruas në to, u tha në këtë takim.
Grupi Joformal i Parlamentareve u themelua në qershor te vitit 2005, ndërsa në të participojnë 34 deputete të Parlamentit të Kosovës, nga të gjitha subjektet politike. Anëtare nderi e këtij grupi është zonja Medlin Ollbrajt.