Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, ambient dhe planifikim hapësinor

, 20.09.2005




Komisioni për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, ambient dhe planifikim hapësinor i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Rifat Krasniç, kryetar, mbajti mbledhje të rregullt, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte Informata e Ministrisë për Bujqësi, lidhur me të korrje-shirjet e sivjetme në Kosovë.

Në mbledhje, duke folur lidhur me fushatën e korrje-shirjeve në Kosovë (në emër të Ministrisë për Bujqësi), profesor Imer Rusinovci, ndër të tjera, theksoi se nga gjithsej 82.920 hektarë të tokës të mbjellë me grurë, në këtë vit janë grumbulluar gjithsej 355.876 tonë grurë. Në vazhdim, duke folur për fushatën e korrje-shirjeve të sivjetme, profesor Rusinovci theksoi se, ndonëse Kosova ka potencial që për një hektar të tokës të ketë rendiment prej 10 tonë grurë, këtë vit kjo u realizua në suaza prej 4.3 tonë grurë për një hektar. Më tutje, profesor Rusinovci theksoi se, edhe pse nga këto korrje-shirje janë përmbushur përafërsisht 80% të nevojave për grurë të bukës të popullatës së Kosovës, prapëseprapë, me këtë rendiment nuk mund të jemi të kënaqur, sepse potencialet janë shumë më të mëdha. Mirëpo, në mosrealizimin e një rendimenti në shkallë më të kënaqshme, në mes tjerash, ka ndikuar edhe kuantiteti dhe kualiteti i pamjaftueshëm i farës së grurit, mekanizmi mjaft i vjetruar (nga gjithsej 600 kombajnë, të cilët u përfshinë në korrje-shirje, shumica e tyre ishin të stërvjetruar), si dhe disa rrethana të tjera objektive dhe subjektive.

Në fund të kësaj mbledhjeje të rregullt, anëtarët e Komisionit me disa ndryshimet dhe plotësimet u miratua Plani dhe Programi i punës së këtij Komisioni deri në fund të vitit 2005.
Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, ambient dhe planifikim hapësinor