Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar
, 23.09.2005
Komisioni parlamentar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime euroatlantike, në mbledhjen e drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka debatuar rreth diskutimeve për statusin e Kosovës dhe ka konstatuar se për këtë çështje madhore ka larmi pikëpamjesh, jo vetëm nga përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë, por edhe të liderëve politikë e institucionalë të Kosovës.
Është thënë gjithashtu se pavarësisht nga deklarimet, subjektet politike dhe institucionet e vendit kanë konsensus të plotë për statusin e ardhshëm të Kosovës, që duhet të jetë vetëm pavarësia.
Grupit negociator -veprim institucional
Emërimin e grupit negociator nga presidenti Rugova, Hamiti e ka vlerësuar veprim institucional për të biseduar për statusin e Kosovës. Ai, ndërkaq, grupin negociator e ka cilësuar si Forumin politik me përfaqësim të eksponentëve më të lartë politik të Kosovës.
Për çështje madhore, niveli i konsultimeve politike të jetë më i gjerë
Anëtarët e komisionit kanë qenë unikë në qëndrimin e tyre se duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të përgatitur për bisedime. Për çështje madhore, është thënë në mbledhjen e komisionit, niveli i konsultimeve politike duhet të jetë shumë më i gjerë.
Ministrat, Haziri dhe Haraçia të dëshmojnë para komisionit për bisedat në Vjenë dhe Beograd
Anëtarët e Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar kanë vlerësuar se në mbledhjen e ardhshme të komisionit duhet të ftohen ministrat e Qeverisë së Kosovës, Haziri dhe Haraçia të dëshmojnë para komisionit për përmbajtjen bisedave me qeveritarë serbë në takimet e zhvilluara në Vjenë dhe Beograd.