Lajmet e fundit
Daci priti shefin e Zyrës Amerikane në Kosovë, z. Philip Goldberg
, 23.09.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pasur sot një takim sy më sy me shefin Zyrës Amerikane në Kosovë, z.Philip Goldberg. Pas takimit njëorësh, Daci dhe Godberg u kanë deklaruar gazetarëve se kanë biseduar për përgatitjet e institucioneve të vendit për bisedimet për statusin e Kosovës.
Kryeparlamentari Daci ka thënë se është biseduar edhe për Seancën plenare të 28 shtatorit, në të cilën do të miratohet grupi negociator i emëruar nga Presidenti Rugova.
Konsensus i plotë për statusin e vendit
Ai, ndërkaq, është shprehur se në Kosovë ekziston konsensus i plotë për statusin e ardhshëm të vendit dhe se është arritur një unitet funksional i insitucioneve.
Shefi i Zyrës Amerikane në Kosovë, Goldberg, është shprehur optimist se subjektet politike të përfaqësuara në parlament do të jenë unike dhe do të vlerësojnë drejt rëndësinë e bisedimeve për statusin e Kosovës.
Në pyetjet e gazetarëve se a janë vërtetë të përgatitura institucionet tona për bisedime për statusin e vendit, Daci është përgjigjur pozitivisht dhe theksoi se këtë optimizëm ua ka përcjellë edhe ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian gjatë vizitës në Kosovë.
Do ta ndërtojmë një Kosovë të hapur
Daci ka shtuar gjithashtu se do të ndërtojmë një Kosovë të hapur, ndërsa prania e SHBA-së dhe e BE-së në Kosovë do të jetë shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit.