Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti përfaqësuesin personal të Havier Solanës në Kosovë, Fernando Gjentilini

, 26.09.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte sot një takim me përfaqësuesin personal të Havier Solanës në Kosovë, Fernando Gjentilini. Në qendër të vëmendjes së bashkëbiseduesve ishin proceset aktuale politike në Kosovë. Në këtë frymë u fol për mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet më 28 shtator, çështjen e Grupit për Statusin e Kosovës, të formuar nga Presidenti Rugova etj. Përkitazi me këtë Gjentilini u angazhua që kjo çështje te kryhet sa më shpejt në Kuvend, në mënyrë që bashkësisë ndërkombëtëre t’ i jepet një mesazh i qartë se këtu po bëhen përparime të dukshme.

Kryeparlamentari Daci e njoftoi përfaqësuesin personal të Havier Solanës se ka thirrur për nesër ( më 27 shtator ) liderët e partive relevante të vendit në një kafe pune për të biseduar rreth modaliteteve, fryt i të cilave do të ishte dhënia e përkrahjes unanime Grupit për Status në Kuvend .

Me këtë rast u tha se këto ditë koordinatori i grupeve për ekspertë do të dalë me propozimet konkrete për përbërjen e Grupit të ekspertëve, me emra vendës e ndërkombëtarë , i cili do të mbështesë Grupin për Status.

Kryeparlamentari Daci në vijim foli për domosdoshmërinë e vazhdimit të bartjes së kompetencave nga ndërkombëtarët tek institucionet vendëse, sidomos në polici dhe drejtësi, duke u angazhuar që ky proces të mos shtyhet. Bartja e kompetencave duhet të jetë e plotë. Krejt kjo është e nevojshme të bëhet, në mënyrë që nga vendësit të merren përgjegjësitë për kryerjen e punëve aq të rëndësishme, që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve , por edhe të Rajonit.

Kryeparlamentari Daci priti  përfaqësuesin personal të  Havier Solanës në Kosovë, Fernando Gjentilini