Lajmet e fundit
Lidhur me interpelancën e kryeministrit
, 26.09.2005
Nisur nga shkrime të ndryshme në mediat tona lidhur me intepelancën e kryemistrit Kosumi (sipas kërkesës së PDK-së) dhe interpretimeve të ndryshme të autorëve të shkrimeve për procedurat e ndjekura për këtë çështje, Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar sqarime nga Departamenti për mbështetje ligjore dhe procedurale lidhur me procedurën që duhet ndjekur për interpelancë.
Kërkesa për interpelancë i është dërguar Qeverisë së Kosovës
Drejtori i këtij departamenti, Daut Beqiri, citon përfundimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nga mbledhja e 2 shtatorit, në të cilën thuhet: Propozimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, i parashtruar më 12 shtator 2005, për të ftuar në interpelancë kryeministrin e Kosovës, z.Bajram Kosumi, i dërgohet Qeverisë së Kosovës për shqyrtim dhe përgjigje në afatin e paraparë me Rregulloren e punës së Kuvendit.
Beqiri sqaron se Qeveria e Kosovës është njoftuar me këtë përfundim dhe se asaj i është përcjellë edhe kërkesa e GP të PDK-së për interpelancë të kryeministrit.
Qeveria brenda 15 ditësh i përgjigjet Kuvendit
Ai tutje deklaron se konform rregullës 25 të Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës ( pika 4 dhe 5), Qeveria brenda 15 ditësh i përgjigjet Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit, ndërkaq, përgjigjen e Qeverisë e radhitë në rend të ditës për seancë plenare brenda 10 ditësh nga koha kur ka marrë përgjigjen e afatshme.
Parashihet që obligativisht (së paku tri ditë para seancës) deputetët ta marrin rendin e ditës, bashkë me materialët për seancë.
Në bazë të kësaj që u cek më lartë rezulton se Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka vënë në procedurë kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për interpelancë të kryeministrit, por koha ka qenë tepër e shkurtë për tu radhitur në seancën e 28 shtatorit.