Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti liberaldemokratin britanik Richard Moore
, 30.09.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ka pritur sot liberaldemokratin britanik Richard Moore, dhe ka biseduar me të për zhvillimet në Kosovë, përparimet demokratike të vendit dhe përgatitjet që janë duke i bërë institucionet për përcaktimin e statusit të Kosovës. Ai e ka falënderuar Britaninë e Madhe, por edhe Partinë Liberal Demokrate për mbështetjen që vazhdojnë t’i japin Kosovës dhe popullit të saj në rrugën lirisë e të përparimit.
Zotëri Richard Moore, i cili më herët ishte president i Internacionalës Liberale, me seli në Londër dhe aktualisht, padron i saj, është shprehur se Partia Liberal Demokrate e ka përkrahur lirinë e Kosovës dhe sot e përkrah fuqishëm pavarësinë e saj. Ai është shprehur optimist se pavarësia do të jetësohet, por ka shtuar se nuk do të kishte dashur që për shkak të mos unitetit të liderëve politikë e institucionalë të vonohej zgjidhja e statusit të Kosovës.
Në interesimet e libheraldemokratit britanik, Moore, për mundësitë e përfshirjes së minoriteteve në negociatat për statusin, kreu i legjislativit të vendit, Daci, është shprehur se në grupet punuese të ekipit negociator do përfshihen edhe përfaqësuesit e minoriteteve.