Lajmet e fundit

Nga e mbledhja e rregullt e Komisionit për Punë, Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës

, 20.10.2005




Në Territorin e Kosovës, tash për tash, nuk ka dukuri të epidemisë së gripit të shpezëve, mirëpo, eventualisht, për të qenë sa më të përgatitur për këtë qysh tash është formuar Shtabi kryesor dhe komitetet nëpër komuna për përcjelljen e gjendjen lidhur me këtë sëmundje në terren. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të informuar saktësisht dhe me kohë nga ana e ekspertëve lidhur me këtë grip. Këto ishin vetëm disa konstatime të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës të cilin e kryesoi zonja Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, kryetare e Komisionit në seancën e të cilit, pikë kryesore e rendit të ditës ishte Informata e Komisionit lidhur me situatën e krijuar me rastin e paraqitjes së virusit vdekjeprurës – gripit të shpezëve në regjion e më gjerë, kurse i pranishëm, ndër të tjerët, ishte edhe Ministri i shëndetësisë, zotëriu Sadik Idriz, si dhe Drejtori i Institutit për Shëndetin Publik të Kosovës, prof. dr. Naser Ramadani.

Në seancën e cekur, duke folur për situatën e sapokrijuar ministri Sadik Idriz tërhoqi vëmendjen se, edhe pse në territorin e Kosovës nuk ka epidemi të gripit të shpezëve, prapë se prapë në bashkëpunim me Ministrinë për Bujqësi është formuar Shtabi Kryesor, si dhe komitetet nëpër komuna, të cilat do ta përcjellin gjendjen lidhur me gripin e shpezëve në terren. Duke tërhequr vërejtjen për këtë ai tha se në rend të parë është mbrojtja e shëndetit të njerëzve dhe shtoi se në situata të këtilla nuk guxon të bëhet asnjë lëshim serioz, i cili do të kishte pasoja negative në gjendjen e përgjithshme. Në vazhdim ministri Sadik Idriz gjithashtu theksoi se për të qenë më mirë të përgatitur për luftë kundër kësaj sëmundje vdekjeprurëse, Shtabi Kryesor ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës mjete shtesë në shumën prej 2.200.000 euro , të cilat do të sigurohen me anë të donacioneve dhe ndihmave të ndryshme ndërkombëtare.

Duke marrë pjesë në punën e këtij Komisioni lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Drejtori i Institutit për Shëndetin publik të Kosovës, prof. dr. Naser Ramadani tërhoqi vëmendjen se ekipet e sapoformuara për ta luftuar këtë sëmundje të keqe nuk qëndrojnë në gjendje të mirë, as në pikëpamje materiale, as në atë kadrovike dhe se kjo situatë e palakmuar, sa më parë, duhet përmirësuar.
Nga e mbledhja e rregullt e Komisionit për Punë, Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës