Lajmet e fundit
Informatë për mbarëvajtjen e Kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për nxjerrjen e “Rezolutës për Rikonfirmim të Vullnetit të Qytetarëve të Kosovës”
, 21.10.2005
Duke pasur parasysh që në opinion, si dhe në deklarime për shtyp po jepen vlerësime të ndryshme rreth procedurave dhe ecurive të deritashme në Kuvendin e Kosovës, rreth “Rezolutës për Rikonfirmimin e Vullnetit të Qytetarëve të Kosovës”, Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime e Kuvendit të Kosovës është e autorizuar nga Sekretaria e Kuvendit të përcjellë këto sqarime zyrtare.
Në Zyrën e parashtresave të Kuvendit të Kosovës, më datën 30 shtator 2005 është dorëzuar kërkesa e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për nxjerrjen e “Rezolutës për Rikonfirmim të Vullnetit të Qytetarëve të Kosovës” nga Kuvendi i Kosovës. Kërkesës të nënshkruar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së i është bashkëngjitur lista me emrat dhe nënshkrimet e tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.
Kjo kërkesë është futur në rend dite të mbledhjes plenare të Kuvendit të Kosovës, më 3 tetor 2005 . Rezoluta në mbledhje është lexuar nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës e mandej është hapur debat parimor në nivel të shefave të grupeve parlamentare.
Pasi ishte qëndrim unanim që ky tekst i propozuar dhe i debatuar të harmonizohet nga një grup punues, shefat e grupeve parlamentare të LDK-së, të PDK-së, të AAK-së, të ORA-s dhe të Gjashtë Plus, miratuan një tekst, i cili u lexua dhe u miratua nga Seanca Plenare. Teksti i plotë i nënshkruar nga të pesë shefat e grupeve është:
“1. Grupi i Punës për harmonizimin e tekstit të Rezolutës përbëhet nga shefat e grupeve parlamentare, Komisioni për Çështje Gjyqësore Legjislacion e Kornizë Kushtetuese dhe Komisioni për Bashkëpunim të Jashtëm;
2. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të obligojë Grupin e Punës për harmonizimin e tekstit që sa më parë, jo më larg se sot një javë, të ofrojë tekstin e harmonizuar;
3. Të mbahet seancë e posaçme brenda javës së ardhshme . “
Bazuar në këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës, me datën 3 tetor 2005, nënshkruan një shkresë, që i dërgohet Grupit të Punës. Teksti i shkresës është:
“1. Formohet Grupi i Punës për harmonizim të tekstit të Rezolutës në përbërje të kryetarëve të grupeve parlamentare, të Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese dhe të Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike.
2. Teksti përfundimtar i Rezolutës duhet t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit brenda javës.
3. Kuvendi të mbajë seancë të veçantë deri në fund të javës së ardhshme, për ta miratuar këtë Rezolutë.”
Më datën 11 tetor 2005 është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për të përgatitur rendin e ditës për seancën plenare në të cilën, konform marrëveshjes dhe afateve të përcaktuara, duhej të miratohej Rezoluta. Anëtarët e Kryesisë për shqyrtim kishin “Raportin lidhur me shqyrtimin dhe miratimin e Rezolutës për Kosovën Shtet të Pavarur e Sovran” të dorëzuar nga Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, që mbante datën 7 tetor 2005 dhe “raport lidhur me nismën për Rezolutën për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran”, të paraqitur nga Komisioni për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese” që mbante datën 10 tetor 2005.
Kryesia e Kuvendit unanimisht, me një deklarim kundër, vendosi se nuk janë krijuar kushtet procedurale dhe përmbajtësore që “Rezoluta për Rikonfirmim të Vullnetit të Qytetarëve të Kosovës” të futet në rend të ditës të mbledhjes plenare. Kryesia vendosi që Grupi Punues i autorizuar nga Kuvendi të vazhdojë punën në harmonizimin e tekstit dhe Kryesisë së Kuvendit t’i dorëzojë një tekst të vetëm të Rezolutës, i cili do t’i procedohet Kuvendit për miratim.
Deri më sot në Kryesinë e Kuvendit nuk ka mbërritur teksti i harmonizuar i Rezolutës.