Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për gatishmëri emergjente
, 26.10.2005
Shqetësimi për gjendjen e sigurisë në Kosovë, pas lajmeve për veprimin diversiv të grupacioneve të ndryshme, ka bërë që Komisioni parlamentar për gatishmëri emergjente t’i ftojë për të raportuar për gjendjen përgjegjësit për sigurinë në Kosovë: kolonel Sheremet Ahmetin, kryesues i Departamentit të rendit Publik, këshilltarin e PSSP-së për polici dhe drejtësi, Nick Booth dhe këshilltarin për siguri të kryeministrit, Ramadan Qehaja.
Policia e di se cilët janë njerëzit me maska
Ahmeti, këshilltari i tij Torres dhe zotri Booth, e kanë përshkruar si stabile gjendjen e sigurisë në Kosovë, por kanë pranuar se grupe të ndryshme kriminale, të vetëshpallura me emra patriotikë, veprojnë në Kosovë. Ata kanë pohuar se e dinë cilët janë njerëzit e uniformuar dhe me maska që paraqiten në pika të ndryshme, kryesisht në Dukagjin dhe janë shprehur se kundër tyre do të veprohet në momentin e duhur dhe me forca të bashkuara të SHPK-së dhe të Policisë së UNMIK-ut dhe të KFOR-it.
Në Kosovë veprojnë më shumë se një mijë pjesëtarë të MUP-it serb
Këshilltari për siguri i kryeministrit, gjenerali Ramadan Qehaja ka qenë shumë kritik për gjendjen e sigurisë. Ai, duke theksuar se flet në emër të tij dhe jo të Qeverisë apo të kryeministrit, është shprehur se në Kosovë veprojnë më shumë se një mijë pjesëtarë të MUP-it serb, të cilët paguhen nga regjimi i Beogradit, qindra policë serbë në pension dhe numër shumë i madh i paramilitarëve. Nuk është për tu habitur nëse ata aktivizohen posaçërisht me të filluar bisedimet për statusin, ka pohuar Qehaja, dhe ka shtuar se gjendjen mund ta tensionojnë edhe problemet ekonomike dhe sociale dhe grupacionet, të cilat i kundërshtojnë negociatat për statusin e vendit.
Kosova nuk ka strategji kombëtare të sigurisë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit të gatishmëri emergjente kanë shfaqur shqetësimin e tyre pse Kosova vazhdon të mos e ketë strategjinë kombëtare të sigurisë.
Duhet të krijohet një shërbim për çështje të brendshme
Pjesëmarrësit këtij takimi, ndërkaq janë pajtuar se në funksion të përmirësimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë duhet të krijohet një shërbim për çështje të brendshme (ndonjëri e ka quajtur Shërbim Inteligjent Kombëtar).
Për ministritë e reja dhe për gjykatat
Ata janë pajtuar gjithashtu se krijimi (deri në fund të vitit) i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i Ministrisë së Drejtësisë, bashkë me shtimin e efikasitetit të gjykatave, do të reflektohet shumë pozitivisht për sigurinë më të mirë në Kosovë.