Lajmet e fundit
Nga takimi i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar me përfaqësuesit e Drejtorisë për zgjerim në UE
, 27.10.2005
Komisioni Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, i kryesuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesit e Drejtorisë për zgjerim në Unionin Evropian : Therese Sobieski dhe Economides Militiadis, për të këmbyer pikëpamje për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për rregullat për anëtarësim të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në projektin e Asocim-stabilizimit.
Duke e marrë fjalën para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe Integrime Evroatlantike, zonja Sobieski ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të rëndësishme për përcaktimin e statusit të saj dhe se vendet e Unionit Evropian janë shumë të interesuara për procese pozitive në Kosovë dhe rajon. Ajo ka theksuar se Kosovës gjithsesi i nevojitet një perspektivë evropiane dhe se dëshirohet që vendi të mos ngecë në planin e zhvillimit ekonomik dhe demokratik. Ajo, ndërkaq, ka shpjeguar se ekziston një procedurë e gjatë e vëzhgimit të vendeve të rajonit për anëtarësim në projektin e Asocim-stabilizimit. Ajo ka theksuar punën shumë të madhe që e pret Qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës për përmbushjen e standardeve.
Ju jeni një ambasadë e vogël dhe lidershipit të Kosovës duhet t’ ia bëni të qartë agjendën evropiane, ka thënë Sobieski.
Kryetari i Komisionit, Hamiti, por edhe anëtarët tjerë të Komisionit, Rexhepi, Krasniqi, Surroi, Yagcilar etj.,kanë shprehur vullnetin e subjekteve të tyre dhe të qytetarëve të Kosovës për bashkëpunim të përhershëm me vendet e Unionit Evropian dhe për anëtarësim gradual të Kosovës në të gjithë mekanizmat e Unionit Evropian dhe ata Euro-atlantik. Ata kanë shprehur kënaqësinë që KS i OKB-së ka hapur çështjen e përcaktimit të statusit dhe kanë shfaqur bindjen se pas pavarësisë së vendit do të hapen perspektiva për zhvillimin përshpejtuar ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.