Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti PSSP-në, Petersen
, 27.10.2005
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovës, Soren Jessen-Petersen, e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me rrjedhat e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përfundimet e saj historike për Kosovën: fillimin e bisedimeve për përcaktimin e statusit të vendit.
Kryeparlamentari Daci ka shprehur kënaqësi për qëndrimet e KS të OKB-së dhe e ka përgëzuar kryeadministratorin Petersen për prezantim shumë të mirë të Kosovës në këtë takim historik.
Të dy bashkëbiseduesit, ndërkaq, janë pajtuar se me këtë nis procesi i përmbylljes së Misionit të OKB-së në Kosovë dhe hapet procesi i definimit të statusit për vendin.
Në takim është biseduar edhe për çështjen e Grupit negociator dhe për rolin e Kuvendit të Kosovës në rritjen e unitetit të subjekteve politike të përfaqësuara në Parlament, lidhur me çështjet madhore për ardhmërinë e vendit. Daci e ka garantuar zotin Petersen se roli i Parlamentit dhe i kryetarit të Parlamentit do të jetë vendimtar në krijimin e unitetit veprues të delegacionit të Kosovës.
Në këtë dritë, kreu i legjislativit i ka premtuar PSSP-së se në mbledhjen e radhës do ta kalojë Rezolutën e PDK-së për rinjohjen e vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi.
Po krijohet një shtet funksional stabil, multietnik e demokratik dhe për këtë nuk ka luhatje të institucioneve të Kosovës, ka thënë prerë Daci.