Lajmet e fundit

Daci ka pritur poetin malazias Jevrem Bërkoviq

, 31.10.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, e ka vlerësuar lart kontributin e poetit dhe të humanistit të njohur malazias, Jevrem Bërkoviq, për lirinë, demokracinë dhe dinjitetin e popujve, si dhe e ka falënderuar atë për mbështetjen guximshme të çështjes shqiptare në momentet më të vështira të ngritjes së despotizmit të Millosheviqit.

Intelektuali i guximshëm, i cili e themeloi dhe e drejtoi Akademinë Dukleane të Shkencave të Malit të Zi, Bërkoviq, ka shfaqur kënaqësinë që ndodhet në kryeqytetin e një vendi, i cili, siç është shprehur poeti, pas pak muajsh do të jetë shtet i pavarur. Ai është shprehur i bindur se pavarësia e Kosovës dhe e Malit të Zi do të reflektohet pozitivisht për paqe e stabilitet në rajon.

Do të kemi dy shtete të vogla, të bukura, ka theksuar kryeparlamentari Daci, i cili ka lavdëruar inteligjencën e Malit të Zi për qëndrimin parimor për zgjidhje të statusit të Kosovës në bazë të vullnetit të popullit të saj.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar për nevojën e përhershme për bashkëpunim ndërmjet popujve dhe akademive të të dy vendeve.

Daci ka pritur poetin malazias Jevrem Bërkoviq