Lajmet e fundit
Seanca Plenare e Kuvendit - më 17 nëntor
, 01.11.2005
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar Kuvendit, ka vendosur që seanca e ardhshme të mbahet më 17 nëntor. Megjithëse nuk ishte paraparë në rendin e ditës, çështja e Rezolutës për konfirmimin e vullnetit të popullit për pavarësi, e propozuar nga grupi parlamentar i PDK-së ka marrë kohën më të madhe të debatit në Kryesi.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Isuf Demaj ka përshkruar gjithë historinë e procedimit të kësaj rezolute, kurse kryeparlamentari Daci, ka ritheksuar se dy komisionet dhe grupet parlamentare i kishin tejkaluar kompetencat e marra nga seanca plenare dhe tekstin propozuar prej tyre e kishte kundërshtuar Kryesia.
Të harmonizohet teksti i Rezolutës
Anëtarët e Kryesisë janë pajtuar se teksti i Rezolutës duhet të harmonizohet deri në Seancën e 17 nëntorit, për ta futur si pikë të parë të rendit të ditës. Është lënë mundësia, ndërkaq, që nëse puna kryhet më parë, të thirret një seancë e veçantë për miratimin e Rezolutës. Ka pasur edhe propozime që, në funksion të punës më rezultateve, Kryesia të thërrasë në një takim të përbashkët pune komisionin Legjislativ dhe atë për Bashkëpunim ndërkombëtar, bashkë me grupet parlamentare dhe ekspertë juridikë ndërkombëtarë, të afërt me PSSP-në.
Do të shqyrtohen gjashtë projektligje
Në seancën e nëntorit do të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligjit për Investimet e Huaja, ai për Dizajnin industrial, dhe ai për Akreditim. Për herë të parë, ndërkaq do të shqyrtohen: Projektligjit për Ushqimin, ai për Veprimtarinë botuese dhe librin, si dhe ai për Institucionet e kulturës.
Kryesia shqyrtoi disa kërkesa
Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar përgjigjen e kryeministrit Kosumi lidhur me interpelancën e kërkuar nga PDK-ja; kërkesën e Komisionierit të Përkohshëm për Media, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media; kërkesën e Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, për të ngarkuar Qeverinë e Kosovës për hartimin e Projektligjit për zgjedhjet, si dhe kërkesën e Grupit parlamentar të AAK-së për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.
Mbështetet Vizioni për arsimin deri më 2015
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit e kanë mbështetur njoftimin e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji lidhur me dokumentin ,,Vizioni për prioritetet e zhvillimit të arsimi në Kosovë 2005-2015’’, duke e vlerësuar sistemin arsimor të Finlandës si më të mirin në Evropë, mbi modelin e të cilit është ndërtuar vizioni për arsimin e Kosovës.
Janë shqyrtuar edhe një varg kërkesash të grupeve e të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve për çështje të ndryshme të funksionimit të Kuvendit