Lajmet e fundit
Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për arsimin dhe aftësimin profesional në Komisionin Parlamentar për Arsim...
, 07.11.2005
Komisioni për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për arsimin dhe aftësimin profesional, i cili tashmë është përkrahur në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Pjesëmarrësit në debat ishin unik në konstatimin se ky Projektligj është hartuar në pajtim me standardet evropiane e ndërkombëtare, si i tillë ofron një bazë shumë të mirë në përcaktimin e segmenteve që përfshin, ndërsa bashkë me vërejtjet që u dhanë, si dhe në procesin e mëtejmë të amendamentimit ai do të mund të plotësohet edhe më, për të mundësuar një zhvillim më të hovshëm të arsimit dhe aftësimit profesional.
Synime themelore të këtij Projektligji janë sigurimi i infrastrukturës ligjore për sistemin arsimor, ndërtimi sistemi unik të arsimit dhe të aftësimit profesional, si për institucionet publike , ashtu edhe për ato private, përfshirja e arsimit dhe aftësimit profesional në proceset e përparimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale, duke ditur se Kosova është në fazë tranzicioni, si dhe një ndërlidhje sa më koherente në raportin mundësitë për punësim - ofertë e kuadrove.