Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci takoi drejtuesit e komisioneve

, 07.11.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka takuar sot kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komisioneve parlamentare, për të sheshuar rezultatet dhe të metat e punës së komisioneve.

Cilësi e pakënaqshme e projektligjeve 

Drejtuesit e komisioneve parlamentare, kryesisht, janë pajtuar se problemet më të mëdha për një punë më të suksesshme të legjislativit janë numri jo i mjaftueshëm projektligjeve, të sponsorizuara kryesisht nga ministritë e Qeverisë së Kosovës dhe në të shumtën e rasteve cilësia pakënaqshme e tyre, që për pasojë u merr shumë kohë komisioneve për amendamentim dhe e stërzgjat kohën nga shqyrtimi i parë deri në miratim. Në këtë vështrim u prezantuan edhe shembuj kur një projektligj që rregullon çështje të rëndësishme të jetës në Kosovë, përmblidhet në gjithsej dymbëdhjetë nene, për t’i shtuar pastaj shtatëdhjetë amendamente ( një numër i madh i tyre i natyrës së lekturës gjuhësore).

Formulime juridike e gjuhësore më të sakta

Një numër i konsiderueshëm i projektligjeve, u tha në mbledhje, rëndohet me numër shumë të madh të alineve (deri në tetëdhjetë) për një nen të veçantë, kurse shumica e tyre lënë për të dëshiruar sa i përket formulimit juridik dhe gjuhësor të tyre.

Të gjithë janë pajtuar, ndërkaq, se duhet të përshpejtohet dinamika e punës për amendamentimin e projektligjeve, por edhe kanë tërhequr vëmendjen se ministritë duhet të kujdesën më shumë për formulimet juridike dhe gjuhësore të projektligjeve të propozuara. Madje në takim ka pasur edhe zëra se kjo mbledhje është dashur të jetë e përbashkët me përfaqësues të Qeverisë, që kanë të bëjnë me hartimin e projektligjeve. Ministrive u është sugjeruar që të krijojnë bërthama profesionale juristësh dhe gjuhëtarësh të mirë, si parakusht për hartimin e një legjislacioni cilësor.

Për kushte më të mira pune

Kryetari i Komisionit për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, Hydajet Hyseni, më kërkesën e të cilit është mbajtur ky takim, ka prezantuar një listë të gjatë kërkesash për përmirësimin e kushteve të punës së komisioneve parlamentare dhe stimulimin për punë më të mirë.

Të përshpejtohet dinamika e amendamentimit

Kryeparlamentari Daci u ka dhënë mbështetje të plotë komisioneve, por edhe ka kërkuar të përshpejtohet dinamika e punës për amendamentimin e projektligjeve. Ai ka vlerësuar se pas kalimit të Qeverisë së Kosovës në ndërtesë të re, do të krijohet hapësirë më e madhe pune për komisione dhe deputetë.

Për vizitat e deputetëve jashtë vendit

Kreu legjislativit të vendit i ka nxitur drejtuesit e komisioneve, që për plotësim më të mirë të ligjeve, të angazhojnë ekspertë, të cilët do të paguhen për punën e tyre. Ai ndërkaq ka kritikuar një numër deputetësh, të cilët pa e njoftuar atë dhe Kryesinë e Kuvendit, madje pa ndonjë program pune dhe jashtë fushëveprimit të komisionit që i takojnë, realizojnë vizita jashtë vendit, ndërsa kur kthehen kërkojnë nga Kuvendi t’u paguhen shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit atje.

Kryeparlamentari Daci takoi drejtuesit e komisioneve