Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës së Turqisë në Prishtinë, Volkan Turk Vural

, 15.11.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot në një takim njohës shefin e ri të Zyrës së Turqisë në Prishtinë, Volkan Turk Vural me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve.

Zotëri Daci e ka njohur diplomatin turk me punën e Kuvendit të Kosovës dhe përbërjen e tij, duke theksuar përfaqësimin e lartë të pakicave kombëtare, në mesin e të cilëve ka edhe përfaqësues të minoritetit turk. Ai e ka falënderuar Turqinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës dhe e ka lavdëruar punën e Zyrës Turke në Kosovë.

Daci është shprehur optimist se do të vazhdojë të thellohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të të dy vendeve.

Profesor Daci ka vlerësuar lartë vizitën e zëvendëskryeministrit turk, Abdullah Gyl dhe shtuar se e ka ftuar për vizitë zyrtare në Kosovë edhe kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Bylent Arënç.

Shefi i Zyrës së Turqisë në Prishtinë, Volkan Turk Vural, është shprehur se do t’i kontribuojë bashkëpunimit ndërmjet të dy parlamenteve. Ai ka vënë në spikamë lidhjet e fuqishme historike të Turqisë dhe Kosovës, si dhe ka përkujtuar se edhe në Parlamentin e Turqisë ka deputetë me origjinë shqiptare.

Diplomati turk, Vural, pas takimit u ka deklaruar gazetarëve se Turqia gjithmonë ka qenë me Kosovën dhe se është i bindur se statusi i saj do të zgjidhet në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës.

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës së Turqisë në Prishtinë, Volkan Turk Vural