Lajmet e fundit

Shefat e grupeve parlamentare takohen me deputetë nga Maqedonia dhe Mali i Zi

, 16.11.2005




Organizuar nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikës, një grup deputetësh nga Maqedonia dhe Mali i Zi kanë pasur sot një takim me shefat e grupeve parlamentaret të Kuvendit të Kosovës.

Në mungesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashit, ata i ka përshëndetur anëtari i Kryesisë, Ffatmir Sejdiu, i cili ka shpjeguar gjerësisht përbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësimin dy fish më të lartë në Parlament të minoriteteve, se sa përqindja e tyre në popullsinë e Kosovës. Ai në vazhdim ka folur edhe për synimet e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për pavarësinë e vendit, për ligjslacionin, kompatibil me atë të Unionit Evropian dhe për kultivimin e raporteve gjithnjë e më demokratike në vend.

Segmente të ndryshme nga aktiviteti i Kuvendit dhe synimet për ardhmërinë e vendit kanë shkoqitur edhe Gjlnaze Syla, Teuta Sahatqija dhe Mahir Yagcilar.

Në emër të Parlamentit të Maqedonisë, ka përshëndetur Bllagoj Gesoski (nga LSDM), i cili ka folur për hapat që ka bërë vendi i tij për anëtarësim në Unionin Evropian dhe në NATO. Ai ka vlerësuar se Kosovës i mbetet të tregojë sukses në përmbushjen e standardeve, për të zënë hapin për integrime në mekanizma të njëjtë.

Duke përshëndetur në emër të Parlamenti të Malit të Zi, Ferhat Dinosha, nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, është shprehur se Mali i Zi ka marrë një pozicion korrekt ndaj Kosovës dhe procesit të statusit të saj. Ai madje është shprehur i bindur se shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi do t’i përgjigjen pozitivisht referendumit për pavarësinë e vendit dhe integrimeve në UE dhe në NATO.

Deputetët nga Maqedonia dhe Mali i Zi kanë pasur takim edhe me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, të kryesuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, në të cilin janë sheshuar çështje të bashkëpunimit të ndërsjellë të Parlamenteve dhe të komisioneve homonime parlamentare.

Shefat e grupeve parlamentare takohen me deputetë nga Maqedonia dhe Mali i Zi