Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci u takua sot me një delegacion të deputetëve nga Maqedonia dhe Mali i Zi
, 16.11.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, u takua sot me një delegacion të deputetëve nga Maqedonia dhe Mali i Zi. Takimi ishte organizuar nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikës. Duke i njohur mysafirët me rrjedhat aktuale politike në Kosovë, kryeparlamentari Daci në fillim theksoi se Parlamenti dhe institucionet e Kosovës angazhim kryesor në këtë moment kanë finalizimin e vullnetit politik të Kosovës, i shprehur në mënyra të ndryshme, si edhe me referendum të mbajtur në fillim të viteve 90, ashtu si edhe në këto 6 vjet të lirisë me krijimin e institucioneve qeverisëse në nivel qendror dhe lokal. Në këtë mënyrë institucionet kosovare kanë kaluar të gjitha garat kualifikuese për përcaktimin e statusit final të vendit. Ndihmë të madhe në këto rrjedha japin Unioni Evropian, Grupi i Kontaktit dhe OSBE-ja.
Parlamenti i Kosovës ka siguruar një funksionim normal. Sa i përket procedurave dhe rregullave të punës, Parlamenti i Kosovës është parlament evropian , pra përfill të gjitha standardet evropiane. Aktualisht, tha në vijim kreu i legjislativit , preokupim kryesor është ruajtja e stabilitetit të vendit dhe krijimi i unitetit në procesin negociator, në prag të ardhjes së të deleguarit të posaçëm të OKB-së për negociatat rreth statusit të Kosovës , Marti Ahtisari. Jemi marrë vesh që për çështjet kryesore të Kosovës, vendimet të merren në Parlament me dy të tretat e votave .Parlamenti i Kosovës do të ketë rol vendimtar në ratifikimin e marrëveshjeve që do të merren në nivel të ekipit negociator të Kosovës. Sfidë tjetër strategjike e institucioneve të Kosovës janë marrëdhëniet stabile me shtetet fqinje. Në këtë vështrim kërkohet të ruhet sovraniteti i Kosovës, në kufijtë e saj që kishte në ish- Jugosllavi, që përcaktoheshin edhe me Kushtetutën e vitit 1974. Preokupim tjetër yni është edhe kthimi i të zhvendosurve, sigurimi i qarkullimit të lirë etj. Duke i bërë një vështrim pozitës së minoriteteve kryeparlamentari Daci tha se ato kanë një pozicion më të favorshëm në Evropë.
Në interesimet e të pranishmëve se çfarë pozicioni do të mbajë Kosova ndaj Malit të Zi, pas pavarësimit të tij, dhe ndaj Maqedonisë, kryeparlamentar`i Daci theksoi se ne në asnjë moment nuk harrojmë kontributin e këtyre dy shteteve gjatë luftës, si dhe të kontributit të tyre për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Ndërsa çdo problem mund të zgjidhet me bisedime e mirëkuptim ndërmjet qeverive përkatëse.