Lajmet e fundit
Nga takimi i kryeparlamentarit Daci me kryetarin e PDK-së, Thaçi
, 16.11.2005
Një natë para Seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të shqyrtohet Rezoluta e harmonizuar nga shefat e gupeve parlamentare (mbi tekstin iniciativ të propozuar nga grupi Parlamentar PDK-së) dhe në funksion të mënjanimit të mëdyshjeve të shfaqura për fërkime të panevojshme me faktorë të ndryshëm në Kosovë, janë takuar sot në orët e mbrëmjes kryeparlamentari Daci dhe kryetari PDK-së, Hashim Thaçi.
Pas përfundimit të takimit Daci u ka deklaruar gazetarëve se rezoluta do të shtrohet për miratim në Seancën e 17 nëntorit dhe se janë shumë afër balancimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe të mazhorancës shqiptare, si dhe të ruajtjes së unitetit funksional dhe marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me miqtë e dëshmuar.
Kreu i legjislativittë vendit i ka porositur qytetarët e Kosovës që të jenë të qetë, sepse zgjidhja do të jetë e mirë.
Hashim Thaçi, nga ana e tij, takimin e ka vlerësuar shumë korrekt dhe të sinqertë për punën sa më të mirë të Parlamentit të Kosovës.
Ishte qëndrim i përbashkët, ka thënë Thaçi, që të nxirret rezoluta e cila konfirmon vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Një rezolutë unifikuese e spektrit politik kosovar, mbi parime perëndimore; një rezolutë që hap perspektivë për procesin negociues, që është një vullnet i gjithanshëm dhe vendim që do të mirëpritet nga qytetarët e Kosovës dhe forcat e involvuara për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, ka thënë kryetari i PDK-së.