Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të ambasadorëve të Organizatës së Konferencës Islamike
, 17.11.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, u takua sot me një delegacion të ambasadorëve të Organizatës së Konferencës Islamike me seli në Beograd. Me këtë rast kryeparlamentari Daci i njoftoi bashkëbiseduesit me rrjedhat aktuale në Kosovë, si dhe me aktivitet rreth procesit negociator. Duke i bërë një vështrim çështjes së statusit të Kosovës, kryeparlamentari Daci theksoi se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Në vijim ai foli rreth pozitës gjithnjë e më të avancuar të minoriteteve në ecuritë e gjithmbarshme të jetës në Kosovë. Kreu i legjislativit të vendit theksoi se serbët , si dhe minoritet tjera në Kosovë janë të përfshirë në jetën institucionale, madje edhe në shkallë më të lartë sesa pjesëmarrja e tyre në strukturën e popullsisë. Në këtë vështrim Kryeparlamentari Daci kërkoi një reciprocitet edhe nga ana e Serbisë, pra edhe shqiptarët e atjeshëm të gëzojnë në mënyrë të njëjtë këto të drejta.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Organizatës së Konferencës Islamike do të reflektohej mjaft pozitivisht edhe hapja e zyrave të kësaj organizate në Kosovë. U shtrua kërkesa që shtetet anëtare të kësaj organizate të njohin dokumentet e UNMIK-ut dhe të heqin vizat për qytetarët e Kosovës. Kjo do të kontribuonte në zgjerimin e bashkëpunimit të Kosovës me shtetet e kësaj organizate.