Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar
, 18.11.2005
Shefi i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Giorgio Mamberto, ka shkoqitur sot para Komisionit Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, “ Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën” dhe ka dëgjuar konsideratat e anëtarëve të komisionit dhe vërejtjet për përmbajtjen e raportit.
Raporti nuk prejudikim statusin
Zotëri Mamberto ka theksuar se për herë të parë raporti jepet ndaras nga ai për Serbinë dhe Malin e Zi, por ka tërhequr vërejtjen se kjo nuk nënkupton prejudikim të statusit, i cili do të arrihet me negociata. Ai ka theksuar se Kosova gjendet në fazën e parë të rrugës për anëtarësim në Unionin Evropian, krahasuar me vendet tjera të rajonit që kanë kapërcyer një pjesë të mirë të rrugës për anëtarësim.
Pikat e forta të Kosovës
Ndër pikat e forta të Kosovës në këtë raport janë theksuar: mënyra se si Kosova ka tejkaluar vështirësitë marsit të vitit 2004, pjekuria politike e lidershipit, bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës dhe me vendet e rajonit, politikat liberale, stabiliteti monetar, zbatimi i Kodit Doganor etj.
Pikat e dobët
Ndër pikat e dobëta, ndërkaq, janë përmendur: mospjesëmarrja e serbëve në institucione, kapaciteti i dobët administrativ, korrupsioni në rritje, investimet e vogla nga jashtë, shpenzimet e mëdha publike, furnizimi i dobët me energji, etj.
Anëtarët e komisionit janë interesuar të dinë më shumë për hapat që duhet ndërmarrë për anëtarësim më të shpejtë në UE, por ndonjëri prej tyre edhe i ka kontestuar të ashtuquajturat pika të forta dhe të dobëta të Kosovës që përmendën në raport.
Të monitorohet nga Kuvendi Plani i Qeverisë për implementimin e standardeve për anëtarësim
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Giorgio Mamberto, ka thënë se nuk mund të kalohen etapat e parapara për anëtarësim, por mund të përshpejtohen hapat nga vetë kosovarët. Ai e ka vlerësuar të rëndësishëm Planin e Qeverisë për implementimin e standardeve për anëtarësim, ndërsa ka shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet ta kontrollojë vazhdimisht se sa Qeveria po arrin ta realizojë këtë projekt. Mamberto ka theksuar edhe faktin që nga dhjetori këtij viti do të fuzionohen standardet e OKB-së dhe atë të UE-së për Kosovën.
Plan gjithëpërfshirës dhe analitik
Kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, Sabri Hamiti, Raportin për Kosovën e ka vlerësuar gjithëpërfshirës dhe analitik, kurse vërejtjet që jepen në të për institucionet e Kosovë, i ka quajtur udhëzime për të mbërritur atje ku synojmë: anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Unionin Evropian.