Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti kryetarin e ADSH-së, Neritan Ceka

, 21.11.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, nga radhët e grupit parlamentar të Aleancës Demokratike të Shqipërisë, të kryesuar nga z. Neritan Ceka.

Është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, për përgatitjet për fillimin e përcaktimit të statusit të Kosovës dhe për rolin e Kuvendit në këtë proces.

Institucionet e Kosovës e mbështesin Shqipërinë, pavarësisht nga nomenklaturat udhëheqëse në Titranë

Kryeparlamentari Daci, duke folur për synimet e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe zhvillim gjithëpërfshirës të Kosovës, ka vlerësuar se mbështetja e Shqipërisë në këtë rrugë është tepër e rëndësishme. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës e respektojnë dhe e mbështesin Shqipërinë, pavarësisht nga nomenklaturat udhëheqëse në Titranë dhe qëndrim të ngjashëm ka kërkuar edhe nga institucionet dhe subjektet politike të Shqipërisë.

Të gjithë shqiptarët e duan pavarësinë e Kosovës

Kryetari i Aleancës Demokratike të Shqipërisë, Neritan Ceka ka vlerësuar të arriturat e mëdha të Kosovës në periudhën e tranzicionit. Ai ndërkaq ka lavdëruar qëndrimin e të dy parlamenteve lidhur me të ardhmen e Kosovës, duke shprehur bindjen e fuqishme se të gjithë shqiptarët angazhohen për pavarësinë e Kosovës.

Të zhvillojmë struktura ekonomike komplementare

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se ka shumë lëmenj për bashkëpunim të suksesshëm, duke theksuar sidomos zhvillimin strukturave ekonomike komplementare, si në energjetikë, bie fjala.

Kryeparlamentari Daci priti kryetarin e ADSH-së, Neritan Ceka