Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Shtyllës parë të UNMIK-ut, Jean Dussourd

, 23.11.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot shefin e Shtyllës parë të UNMIK-ut, z. Jean Dussourd dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për krijimin dhe funksionalizimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme.

Shefi i Shtyllës parë, Jean Dussourd, i ka thënë profesor Dacit se dy ministritë reja do të krijohen para Krishtlindjeve. Ai ka vlerësuar se legjislativi i vendit duhet t’i krijojë mekanizmat e vetë për të kontrolluar mbarëvajtjen dhe efikasitetin e ministrive, ndërkaq, ka theksuar se UNMIK-u OSBE-ja do të ndihmojë për sendërtimin këtyre mekanizmave kontrollues.

Sa i përket Ligjit për Policinë, Dussourd ka thënë se ai aktualisht ndodhet për vlerësim në New York dhe ka theksuar se do të zbatohet si rregullore e UNMIK-ut. Ai ka pohuar, ndërkaq, se Kuvendi i Kosovës, me vërejtjet dhe sugjerimet e tij, mund të ndikojë në cilësinë e kësaj rregulloreje.

Parlamenti është shtëpi e popullit, prandaj duam t’i kemi dhe t’i përdorim të gjitha kompetencat që na takojnë, ka thënë Daci, i cili ka kërkuar ndihmën e UNMIK-ut për bartjen e të gjitha kompetencat nga Ministria e Shërbimeve Publike, në Kuvend, sa i përket menaxhimit të ndërtesës, teknologjisë informative dhe shërbimeve të tjera në ndërtesën e Kuvendit.

Daci ka shprehur kënaqësi që Qeveria shumë shpejtë do të kalojë në ndërtesë të re, me ç’rast do të krijohet hapësirë më e madhe pune për komisione parlamentare dhe për deputetë.

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Shtyllës parë të UNMIK-ut, Jean Dussourd