Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti drejtorin e Projektit për drejtësi në periudhën e tranzicionit, z. Bruce Jackson

, 25.11.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, kishte sonte një takim me drejtorin e Projektit për drejtësi në periudhën e tranzicionit, z. Bruce Jackson. Temë kryesore e këtij takimi ishin rrjedhat aktuale të Procesit negociator rreth statusit final të Kosovës. Në prononcimin pas takimit, kryeparlamentari Daci theksoi se Kosova ka nevojë për ekspertë që kontribuojnë në mbarëvajtjen e Procesit negociator. Ndihmë të madhe në këtë aspekt mund të ofrojnë edhe institucionet, siç është edhe Projekti për drejtësi në periudhën e tranzicionit. Në këtë proces kontribut të pazëvendësueshëm japin SHBA-të, të cilat duhet të kenë rol prijës në bisedime, që do të zhvillohen në bashkëveprim me kryenegociatorin Ahtisari.

Z. Bruce Jackson theksoi se mbështet procesin e bisedimeve dhe ka plot besim në Ahtisarin që do të udhëheq këto bisedime. Ai shfaqi shpresën se amerikanët dhe evropianët do të arrijnë pikëpamje unike rreth përcaktimit të statusit final të Kosovës. Në këtë frymë edhe ky institucion amerikan hulumton zgjidhjet sa më të mira.