Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti drejtorin për çështje politike dhe të sigurisë në Qeverinë Franceze, Dy Laurens
, 29.11.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot drejtorin për çështje politike dhe të sigurisë në Ministrinë e Jashtme të Francës, Frederec Blaneine dy Laurens, i cili shoqërohej nga shefi i Zyrës Franceze në Prishtinë, Thierry Reynard.
Është biseduar për zhvillimet në Kosovë, për përcaktimin e statusit të Kosovës dhe për vizionin e afërm të institucioneve të Kosovës për të ardhmen e vendit.
Kryeparlamentari Daci është shprehur se Grupi negociator i Kosovës ka kredibilitet dhe unitet të plotë veprimi, kurse këtë pohim të tij e ka ilustruar me dokumentet që i janë dorëzuara të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Ahtisari.
Daci është shprehur se institucionet dhe qytetarët e Kosovës mëtojnë të ndërtojnë një shtet ligjor dhe të hapur, që garanton të drejtat e njeriut, të minoriteteve dhe pronën. Kreu legjislativit të vendit ka theksuar se do të ketë decentralizim funksional, jo vetëm për minoritetet, por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai, ndërkaq, është shprehur se pengesat për pjesëmarrjen e serbëve në institucione dhe integrimin në shoqërinë e Kosovës, gjenden në Beograd.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Francës dhe të Kosovës, ndërsa në këtë vështrim e kanë parë me interes mbështetjen nga Këshilli i Shtetit Fracez për qeveritarët dhe kuvendarët e Kosovës.