Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës Austriake në Kosovë, Alexander Bayerl
, 30.11.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, në takim shefin e Zyrës Austriake në Kosovë, Alexander Bayerl, ka përshëndetur Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe interesimin e saj për mbarëvajtjen e procesit negociator për statusin e Kosovës. Në këtë vështrim ai ka falënderuar Zyrën Austriake në Prishtinë për organizimin e një varg takimesh të suksesshme dhe ka shtuar se vlerëson lartë përvojën austriake për takime ndërkombëtare. Faktin që Vjena nga janari i vitit të ardhshëm merr kryesinë e radhës së Unionit Evropian, Daci e ka vlerësuar një shans më shumë për të përshpejtuar zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Kreu i legjislativit të vendit është shprehur optimist për procesin, ka shprehur edhe vullnetin e Grupit negociator të Kosovës për t’i dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme zotit Ahtisari. Ai është shprehur i bindur se bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe me PSSP-në, zotin Petersen, do të mbyllet me sukses çështja statusit të Kosovës, konform vullnetit të popullit të saj.
Lidhur me interesimin e mysafirit për qëndrimin e kryeparlamentarit Daci për ndihmën austriake për Projektligjin mbi liritë fetare në Kosovë dhe konferencën që do të organizohet në Vjenë për këtë projektligj, Daci është përgjigjur se mirëpret vërejtjet për te, duke theksuar se institucionet e Kosovës dhe ai vetë, duan të krijojnë rrethana për ushtrimin e plotë edhe të lirive fetare, si dhe kultivimin dhe ruajtjen e gjithë trashëgimisë së etnive që jetojnë në Kosovë.