Lajmet e fundit

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa shqyrtoi Projektligjin për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës për vitin 2006

, 30.11.2005




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit , në mbledhjen e sotme, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, shqyrtoi Projektligjin për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës për vitin 2006. Gjatë debatit u theksua se ky projekt nga vetë fakti që ka një rëndësi të veçantë për vendin, kërkon një shqyrtim të gjerë. Në këtë frymë u tha se Projektligji duhet t’ iu nënshtrohet të gjitha procedurave të rregullta të shqyrtimit dhe aprovimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht të aprovohet si ligj. Ky qëndrim i Komisionit do t’ i përcillet edhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Në kuadër të shqyrtimeve të mëtejme u tha se do të jetë me interes organizimi i shqyrtimeve të përbashkëta me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Shërbimeve Publike, Ministrinë e Pushtetit Lokal, Asociacionin e Komunave, si dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat kanë një pjesëmarrje më të madhe në buxhet. Anëtarët e Komisionit ishin unik që gjithkund në tekstin e këtij projekti të përdoret termi Ligj e jo rregullore.

Duke folur rreth procedurës së deritashme të hartimit dhe të shqyrtimit të këtij Projektligji, Haki Shatri thekoi se të gjitha organizatat buxhetore kanë ardhur në Ministri dhe kanë arsyetuar kërkesat e tyre, mirëpo në rrethanat limituese materiale të Kosovës ato nuk ka pasur mundësi të përmbushen në tërësi. Synim i Projektligji është sigurimi i një qëndrueshmërie buxhetore. Bashkëpunohet gjithnjë me UNMIK-un, por edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar , si një nga parakushtet për mbështetje financiare nga bota. Synim yni është që të fillojmë një vit pa probleme, e kjo nënkupton edhe sigurimin e një rezerve që mbulon shpenzimet njëmujore, theksoi Shatri.

Në pyetjen se sa ky buxhet është shpenzues dhe sa në funksion të zhvillimit të Kosovës, u tha se investimet kapitale marrin pjesë me 25 për qind të mjeteve në strukturën e përgjithshme të buxhetit.

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa  shqyrtoi  Projektligjin për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës për vitin 2006