Lajmet e fundit

Përshëndesim lirimin e Fatmir Limajt

, 30.11.2005




Përshëndesim shpalljen të pafajshëm nga Gjykata e Hagës të Fatmir Limajt, ish - deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Është ky vendim i drejtë të cilin e ka pritur Kosova, e që është në pajtim edhe me letrën që Kuvendi i Kosovës me kohë ia pati dërguar Tribunalit të Hagës, si dhe në harmoni të plotë me idealet e larta dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Edhe në të ardhmen presim kontributin e Fatmir Limajt në avancimin e çështjes së Kosovës, në zhvillimin e demokracisë, në stabilizimin dhe paqen në rajon. Urojmë familjen, fëmijët, bashkëshorten, prindërit, vëllezërit dhe motrat , miqtë dhe dashamirët e Fatmir Limajt për kthimin e dinjiteshëm e si qytetar i lirë në Kosovë, për të cilën dha aq kontribut dhe për të cilën u flijuan bijtë dhe bijat më të mirë.

Kuvendi i Kosovës si gjithmonë do të japë të gjitha garancitë institucionale për qytetarët e Kosovës ndaj Tribunalit të Hagës, me bindjen e thellë se lufta e popullit të Kosovës ishte një luftë e drejtë e çlirimtare. Institucionet e Kosovës gjithnjë ndiejnë përgjegjësi dhe obligim të marrin në përkujdesje dhe në mbrojtje të gjithë qytetarët e vet.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës
Akademik Nexhat Daci

Prishtinë 30 nëntor 2005