Lajmet e fundit

Udhëheqja e Kuvendit të Kosovës vizitoi Ferizajn dhe Gjilanin

, 30.03.2004




Në kuadër të sendërtimit të planit operativ dhe zotimeve që u morën në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës për sanimin e gjendjes pas trazirave të 17 dhe 18 marsit dhe institucionalizimin e të gjitha veprimeve në të gjitha nivelet, si dhe të koordinimit të tyre për tejkalimin e gjendjes së krijuar në interes të qytetarëve të Kosovës, një delegacion i prirë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, vizitoi sot kuvendet komunale të Ferizajt dhe të Gjilanit. Me këtë rast ata u pritën nga kryetarët e këtyre komunave Adem Salihaj e Lutfi Haziri.
Duke evidentuar dëmet që u shkaktuan në objektet serbe të Komunës së Ferizajt, Adem Salihaj theksoi se dëme kanë pësuar disa kisha të besimit ortodoks dhe varrezat serbe. Ai theksoi se është mbajtur një mbledhje e përbashkët e KFOR-it, UNMIK-ut dhe qytetarëve për eleminimin e këtyre pasojave. Salihaj tha se në këtë komunë nuk kishte dëmtime të objekteve e pronave të romëve dhe të ashkalinjve.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se në këtë komunë janë djegur 21 shtëpi të serbëve, ndërsa janë lënduar 15 policë. Në kuadër të masave që janë marrë për eliminimin e pasojave të dëmeve nga protestat, UNHCR po shpërndan ndihma për të dëmtuarit, ndërsa Kuvendi Komunal ka dhënë 10 mijë euro për të ndihmuar serbët e dëmtuar. Haziri njoftoi delegacionin se në këtë komunë jetojnë gjithsej 15 mijë serbë. Të dy kryetarët e komunave theksuan se janë në vazhdë punët e komisioneve për vlerësimin e dëmeve nga protestat për të vijuar me masa për sanimin e tyre.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci duke iu drejtuar pjesëmarrësve në këto takime, dënoi aktet e dhunës kundër pronave serbe dhe të objekteve të kultit të besimit ortodoks, si dhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të policisë. Aktualisht është i nevojshëm një bashkëveprim i ngjeshur i vendësve dhe ndërkombëtarëve për eliminimin sa më të shpejtë të pasojave të protestave. Kosova është e kosovarëve dhe ashtu duhet të jetë edhe në të ardhmen. Profesor Daci theksoi se minoritet duhet të mbrohen me ligj të posaçëm. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës sot vizitoi edhe Kishën Ortodokse që gjendet në qendër të Ferizajt dhe një kishë në Gjilan.