Lajmet e fundit

Daci priti Fernando Gentilinin

, 08.04.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ka pritur sot përfaqësuesin special të UE-së në Kosovë, Fernando Gentilini dhe ka biseduar me te për shkaqet dhe pasojat e protestave të marsit në Kosovë dhe për gjasat e evitimit të pasojave të shkaktuara.
Profesor Daci është shprehur se tre vitet e para të pasluftës me ndihmen e organizatave joqeveritare dhe me ndihmën ndërkombëtare janë arritur rezultate të lakmueshme në evitimin e pasojave të luftës në Kosovë, por se ka më shumë se një vit që vihen re ngecje, sidomos në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në planin soicial. Ai i ka përkujtuar diplomatit evropian se në të gjitha takimet që ka pasur ka tërhequr vërejtjen për pasojat e ngecjes dhe pezullimin e privatizimit, por ka hasur në vesh të shurdhër. Kur kësaj i shtojmë faktin që rreth gjysma e popullsisë së Kosovës është nën moshën 25 vjeçare dhe e papunë, më lehtë është ta kuptojmë eskalimin aq të shpejtë dhe fatkeqësisht të dhunshëm të protestave të 17 marsit.
Edhe i përfaqësuesi i posaçëm, Fernando Gentilini, është pajtuar se ekonomia e prapmbetur, mungesa e investimeve dhe papunësia janë faktorë shqetësues në Kosovë, por ka shtuar se nuk mund të thuhet se bashkësia ndërkombëtare ka bërë pak në Kosovë. Ai ka kërkuar që të bëhen përpjekje maksimale për evitimin e pasojave të trazirave të marsit dhe të rikthehet besimi i faktorëve ndërkombëtarë në synimet demokratike të institucioneve të Kosovës.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se inspiruesit, ekzekutuesit e dhunës dhe keqëbërësit tjerë duhet tëxirren par drejtësisë.
Kryeparlamentari Daci është shprehur se të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë para drejtësisë dhe ka shtuar se qytetarët serbë të Kosovës do të duhej të angazhoheshin sinqerisht për prosperimin e Kosovës dhe për interesa të njëmendta të tyre dhe jo të vazhdojnë të instrumentalizohen nga Beopgradi.