Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti zv. kryeadministratrorin Charls Brajshow

, 13.04.2004




Si të normalizohet jeta në Kosovë dhe të hapen perspektiva të reja të bashkëpunimit të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, për një partneritet të vërtetë dhe funksional, ishte temë bisede e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me zëvendësin e PSSP të OKB-së në Kosovë, Charls Brajshow.
Në takim është shqyrtuar gjendja aktuale në Kosovë dhe janë piketuar masat të cilat duhen ndërmarrë për evitimin e pasojave të protestave të marsit dhe krijimin e besimit dhe të mirëkuptimit ndëretnik. Është thënë se nuk duhet lejuar që pjesëtarët e përkatësisë etnike serbe ta braktisin Kosovën për shkaqe sigurie, por është thënë gjithashtu se serbët e Kosovës duhet të heqin dorë nga ndikimi i Beogradit dhe duhet të angazhohen për stabilitet dhe prosperitet të Kosovës.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar që në funksion të arritjes së këtij objektivi të ndërmirren aktivitete të përbashkëta në terren. Kryeparlamentari Daci, ndërkaq është shprehur se duhet të fillohet me kthimin e përfaqësuesve serbë në në Kuvend dhe në Qeveri.