Lajmet e fundit

Komisioni Parlamentar për të drejtat dhe interesat e komuniteteve vizitoi KK të Prishtinës

, 28.04.2004




Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga z. Mahir Yagcilar, nënkryetar i parë i komisionit, vizitoi Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku u pritën nga kryetari Ismet Beqiri dhe nënkryeshefi ekzekutiv, Arsim Janova. Me këtë rast anëtarët e komisionit u njoftuan për gjendjen e komuniteteve në këtë komunë. Duke folur për strukturën e Kuvendit Komunal, Ismet Beqiri theksoi se në këtë Kuvend janë të përfshira të gjitha komunitetet. Pas ngjarjeve të marsit, vetëm komuniteti serb është ai që nuk po merr pjesë. Në strukturën e organizimit është edhe Zyra e komuniteteve, që i ka lokalet në Graçanicë, ndërsa drejtori i kësaj zyre është në nivelin e njëjtë me drejtorët e drejtorateve komunale. Në administratën komunale janë të punësuar rreth 40 punëtorë serbë e të komuniteteve tjera. Në projektet e dedikuara për komunitete, gjithmonë, me qëllimin më të mire, iu është dhënë përparësi projekteve për pakica.
Mahir Yagcilar foli për rëndësinë që i kushtohet çështjes së komuniteteve. Të gjitha ligjet në procedurë të Kuvendit kalojnë edhe në këtë komision, me qëllim që të shikohet se a cenohen apo jo të drejtat dhe interesat e komuniteteve.
Sadudin Berisha theksoi se nga të gjitha vizitat që iu janë bërë komunave të Kosovës, vlerësimi i komisionit është se ekziston gatishmëria e shumicës shqiptare dhe minoriteteve tjera joserbe për integrimin e komunitetit serb.