Lajmet e fundit

Përpjekje që mësimi të zhvillohet në shkolla të përbashkëta

, 04.05.2004




Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve i Kuvendit të Kosovës, sot vizitoi Kuvendin Komunal të Lypianit dhe qytezën e Janjevës . Anëtarët e këtij komisioni në qendër të vëmendjes kishin pozitën e minoriteteve në këtë anë, sidomos pas trazirave të 17 dhe 18 marsit . Gjatë bisedës së zhvilluar me strukturat udhëheqëse të Komunës, të prira nga Xhevat Olluri, u tha se në këtë komunë nga afro 85 mijë banorë sa ka gjithsej, 8 mijë janë serbë, 2 mijë hshkalinj dhe romë dhe 400 kroatë.Deri në ngjarjet e 17 dhe 18 marsit në përfshirjen e komuniteteve në të gjitha segmentet e jetës dhe të institucioneve ishin arritur rezultate të kënaqshme, por pas këtyre trazirave te komuniteti serb shfaqet tendenca e tërheqjes nga insititucionet, si dhe një mosbesim në lëvizje. Subjektet komunale bëjnë përpjekje të vazhdueshme që integrimi i serbëve dhe i të gjitha komuniteteve tjera të bëhet në të gjitha institucionet, por kjo varet shumë edhe nga vetë vullneti i tyre. Janë të pranishme në këtë anë edhe raste të mësimit në lokale të ndara, megjithë përpjekjet që bëhen që mësimi të zhvillohet në shkolla të përbashkëta. Pas një pune me përkushtim është arritur marrëveshja që në qytetin e Lypianit të ndërtohet një shkollë e përbashkët, për të cilën janë të nevojshme 160 mijë euro, ndërsa deri tash janë siguruar 150 mijë sosh. Pjesëtarë të minoriteteve joserbe kërkuan që në kuadrin e përmirësimit të pozitës së minoriteteve të punohet me kritere të njëjta, përkatësisht të gjitha komunitetet të gëzojnë përkrahje të njëjtë e pa favorizime, madje edhe buxheti të ndahet sipas përqindjes së popullsisë. U kërkua që më shumë të punohet për ndërtimin e shtëpive të komunitetit hashkalinj, pozita e të cilëve ishte shumë e rëndë edhe para luftës, meqë ata nuk trashëgonin prona bujqësore.